Ministria e Transportit: Deri në fund të vitit vendim me zgjidhje më adekuate për përfundimin e autostradës Kërçovë – Ohër
Është angazhuar ekspert për Marrëveshje Fidik përmes të cilit duhet të sigurohet analizë e Marrëveshjes për ndërtimin e ausotradës Kërçovë – Ohër, si dhe zgjidhje për të gjitha hapat e ardhshëm të Qeverisë për realizimin e këtij projekti dhe deri në fund të vitit do të merret vendim me zgjidhje më adekuate për përfundimin e ndërtimit, paralajmëroi sot Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Nga atje informojnë se edhe janë paraqitur 11 rrëshqitje të dheut dhe për shkak të kësaj do të angazhohen ekspertë ndërkombëtarë të cilët do të japin propozim zgjidhje projektuese dhe mendim për projektin gjithpërfshirës.
“Lidhur me çështjet e ngritura nga projekti për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër, ju njoftojmë se në këto momente është duke u bërë revizioni nga Enti Shtetëror i Revizionit në Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore në aspektin e raporteve financiare dhe harmonizimin, si dhe një revizion për suksesin e investimeve kapitale. Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore, përmes Organit Mbikëqyrës, punësojnë një ekspert për marrëveshjet Fidik, përmes të cilit duhet të bëhet analizë e marrëveshjes, si dhe zgjidhje për të gjitha hapat e ardhshëm të qeverisë për realizimin e projektit për ndërtimin e autostradës Kërçovë – Ohër”, njoftoi Ministria e Transportit.
Kjo, siç sqaron, është e nevojshme për shkakun se afati për realizimin e këtij projekti infrastrukturor përfundon më 31 dhjetor të këtij viti, ndërsa deri atëherë Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe NP për rrugë shtetërore përmes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut do të marrin vendim me zgjidhjen më adekuate për realizim të këtij projekti.
“Realizimi i këtij projekti është me rëndësi strategjike për Republikën e Maqedonisë së Veriut, i njëjti është pjesë e Korridorit 8 si korridor kryesor evropian. Prioritet i Qeverisë është përfundimi i këtij projekti dhe në atë drejtim do të ndërmerren të gjitha aktivitetet për realizimin e tij”, thekson Ministria e Transportit.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski javën e kaluar paralajmëroi se do të kërkojë revizion të Marrëveshjes për ndërtimin e autostradës nga Ohri deri në Kërçovë.
Kovaçevski theksoi se është e palejueshme që pas dhjetë viteve deputetët përsëri të shqyrtojnë për vazhdimin e diçkaje që duhej të përfundonte para shumë viteve.
Siç shtoi kryeministri, duhet të bëhet revizion dhe në bazë të tij të merret vendim.
Sipas vlerësimit të një pjese të ekspertëve pjesëmarrës në konferencë, dokumentacioni projektues, gërmimet gjeoteknike, shpronësimi dhe procedurat joefikase administrative janë shkaqet kryesore për shkak të të cilave vonon ndërtimi i autostradës.
Autostrada Ohër – Kërçovë është pjesë e Korridorit 8, me gjatësi totale prej 57 kilometrash, ndërsa çmimi prej 374 milionëve të planifikuara fillimisht ka arritur në 598 milionë euro. Ndërtimi i autostradës ka nisur në shkurt të vitit 2014 dhe pas disa aneksimeve dhe shtyrjeve të afateve është paraparë të përfundojë plotësisht deri në fund të këtij viti.