Ministria e Jashtme ruse: Bashar al-Asad është larguar nga Siria
Ministria e Jashtme ruse njoftoi se Bashar al-Asad, lideri i regjimit Baath që u rrëzua sot në Siri, vendosi të tërhiqet nga detyra dhe u largua nga vendi, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, ministria pretendoi se situata në Siri është “dramatike dhe shqetësuese” dhe se “janë zhvilluar negociata midis Asadit dhe forcave pjesëmarrëse në konfliktin e armatosur”.
“Si rezultat i negociatave, Asad dha urdhër për transferimin e pushtetit përmes paqes, vendosi të tërhiqej nga detyra dhe u largua nga vendi. Rusia nuk mori pjesë në këto negociata”, thuhet në deklaratë.
Ministria tha se pala ruse është në kontakt me të gjitha forcat opozitare në Siri.
“Megjithatë, ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve relevante që të ndalojnë përdorimin e dhunës dhe të zgjidhin të gjitha problemet politikisht. Në këtë kontekst, Rusia po ndërvepron me të gjitha forcat opozitare në Siri. Ajo bën thirrje për respektimin e pikëpamjeve të të gjitha forcave etnike dhe fetare në Siri. Ne mbështesim përpjekjet për të krijuar një proces politik gjithëpërfshirës në kontekstin e rezolutës 2254, e cila u miratua unanimisht nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, theksohet më tej.
Deklarata vuri në dukje se bazat ushtarake ruse në Siri janë në një “gjendje të lartë gatishmërie” dhe se nuk ka asnjë kërcënim serioz për sigurinë e këtyre bazave.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e jetës së qytetarëve rusë në Siri.