Hamza: Do të takohem me liderët partiakë, do të shohim mundësitë për iniciativë ligjore lidhur me Gjykatën Speciale

Hamza: Do të takohem me liderët partiakë, do të shohim mundësitë për iniciativë ligjore lidhur me Gjykatën Speciale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në një konferencë për media pas takimit të Kryesisë së PDK-së ka paralajmëruar takim me liderët partiakë për të parë mundësitë për iniciativë ligjore në Kuvend lidhur me Gjykatën Speciale.

Ai tha se çështja e Gjykatës Speciale dhe aktgjykimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk është çështje e një partie politike.
“Do të bëjë të gjitha përpjekjet të jemi në komunikim për shkak të seriozitetit të situatës sepse kjo situatë i jep një mundësi që në të ardhmen shteti agresor që ka qenë në Kosovë, Serbia ta përdor për dëmtimin e Kosovës. Unë besoj do të takohem me të gjithë liderët e subjekteve politike sepse kjo nuk është çështje më që i takon vetëm një subjekti…”, tha ai, raporton Telegrafi.

Hamza tha se beson në bashkëpunimin me subjektet politike dhe në krijimin e një konsensusi të përbashkët dhe si PDK do të dalin me veprime konkrete, duke i përfshirë ato ligjore dhe demokratike.

“Ligjore do të thotë edhe përmes iniciativave ligjore dhe demokratike, ne e njohim të drejtën e njerëzve për të protestuar, por megjithatë për hir të vendit, seriozitetit kërkojmë që gjithçka të jetë brenda rregullave demokratike, të jetë e kujdesshme dhe në asnjë formë të mos dëmtohet askush, asnjë institucion, apo njeri”, tha ai.

Ai foli edhe për mundësinë e ndonjë seance të jashtëzakonshme dhe zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Sipas tij, PDK i ka nënshkrimet e gatshme, 22 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme dhe varësisht nevojës dhe situatës së krijuar do të procedojnë.

Ai theksoi se nuk po flasin për zhbërjen e Gjykatës Speciale, por për përshtatje me një situatë të re.

Hamza tha se nuk po i ikin obligimit që Gjykata të hetojë, faktojë të gjitha gjetje e raportit të Dick Martyt për çka edhe është krijuar.

MARKETING