Ministria e Financave: Pagesat e pagave dhe kompensimeve kryhen rregullisht në përputhje me ligjin, pretendimet e “Të majtës” janë të pabaza

Ministria e Financave hedh poshtë kategorikisht dezinformatat e publikuara sot nga “E majta”. Si çdo proces zgjedhor, po ashtu edhe në fillim të këtij procesi, Ministria e Financave parashtroi njoftim deri te të gjithë shfrytëzuesit buxhetorë, me ç’rast gjatë shpenzimit të mjeteve buxhetore në periudhën parazgjedhore, duhet t’i marrin parasysh kufizimet në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe Ligjit të Buxheteve, citohet në kumtesën e Ministrisë së Financave, të cilën MIA e përcjell në formë integrale.
Në njoftimin drejtuar shfrytëzuesve buxhetorë, Ministria e Financave i referohet nenit 8-a, paragrafi 1, alineja 2 të Kodit Zgjedhor:
“Nga dita e miratimit të Vendimit për shpalljen e zgjedhjeve deri në përfundimin e zgjedhjeve për president të Republikës së Maqedonisë, për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe deri në zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë sipas rezultateve të zgjedhjeve, si dhe nga dita e miratimit të Vendimit për shpalljen e zgjedhjeve e deri në përfundimin e zgjedhjeve për zgjedhjen e kryetarit të komunës ose anëtarëve të këshillit, përkatësisht deri në konstituimin e këshillit të komunave dhe qytetit të Shkupi, nuk mund:
– të kryhen pagesat e pagave, pensioneve, ndihmës sociale dhe pagesat e tjera, si dhe kompensimet nga mjetet buxhetore ose nga mjetet e fondeve publike të cilat nuk janë pagesa të rregullta mujore, përkatësisht të gjitha transfertat dhe pagesat njëvjeçare ose transfertat e njëhershme nga mjetet buxhetore ose nga mjetet e fondeve publike, as të tjetërsohet kapitali shtetëror dhe as të nënshkruhen marrëveshje kolektive”.
Theksojmë qartë: Ministria e Financave nuk ka refuzuar asnjë urdhërpages për pagesën e asnjë lloj detyrimi ndaj të punësuarve në përputhje me ligjin. Përkatësisht, në përputhje me Ligjin e Buxheteve dhe Kodin Zgjedhor, kryhen rregullisht pagesat e pagave, shtesat dhe kompensimet e pagave që lidhen me punën në ditët e festave, punën e natës, punën gjatë ditëve të diela, punën jashtë orarit të punës, si dhe të drejtën e kompensimit të pagës për vdekjen e ndonjë anëtari të familjes, punën në terren etj.
Prandaj, të gjitha pretendimet e së “Majtës” janë të pabaza, keqdashëse dhe kanë vetëm një qëllim – të përhapin panik dhe të manipulojnë publikun.
I rekomandojmë të “Majtës” në vend që të merren me konfuzione, një herë e përgjithmon ta lexojnë Kodin Zgjedhor dhe Ligjin e Buxheteve dhe të informohen se si funksionon aparati shtetëror. Ministria e Financave do të vazhdojë të zbatojë me konsistencë dispozitat ligjore dhe njëkohësisht do të garantojë që të mbrohen gjitha të drejtat e të punësuarve.