Ministria e Arsimit: Në shkollat e rregullta fillore do të punësohen mbi 1000 asistentë arsimorë
Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se në vitin e ri akademik 2024/2025, në shkollat e rregullta fillore do të punësohen mbi 1000 asistentë arsimorë, të cilët do të ndihmojnë në përmirësimin e procesit arsimor të nxënësve me aftësi të kufizuara dhe do t’i ndihmojnë ata në kryerjen e detyrave të përditshme shkollore.
“Asistentët arsimorë punësohen përmes shkollave fillore me qendra burimore dhe sipas kërkesave të prindërve dhe kujdestarëve të nxënësve me aftësi të kufizuara. Deri më tani janë realizuar plotësisht shpalljet për 815 asistentë arsimor, si dhe janë siguruar mjete dhe pëlqime për 200 të tjerë, të cilët pas përzgjedhjes përmes shpalljeve publike, para se të punësohen do t’i nënshtrohen trajnimeve shtesë për performancë cilësore në kryerjen e detyrimeve të parapara të punës”, thuhet në njoftimine MASH-it.
Sipas Rregullores për normat, përshkrimin e kompetencave dhe detyrave të punës së asistentit, një ndihmës edukativ mund t’u ofrojë mbështetje një deri në tre nxënësve me aftësi të kufizuara në të njëjtën klasë.
“Nëse ndodh që një nxënës me aftësi të kufizuar të mos ketë asistent edukativ që në ditën e parë të shkollës, shkollat janë të detyruara që nëpërmjet ekipit gjithëpërfshirës të shkollës dhe në bashkëpunim me qendrat burimore t’i ofrojnë nxënësit mbështetjen e nevojshme për një fillim të suksesshëm të procesit arsimor. Ekipi gjithëpërfshirës i shkollës zhvillon një strategji gjithëpërfshirëse për pranimin dhe përshtatjen e nxënësve me aftësi të kufizuara në mësimdhënie që në fillim të vitit shkollor”, thuhet në njoftim.