Ministri kroat: S’e pyesim më Serbinë çka guxojmë të bëjmë e çka jo, s’kthehet kurrë më ajo kohë

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kroacisë dhe ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, ka thënë se ka kaluar koha kur vendi i tij e ka pyetur Serbinë se çka lejohet të bëjë e çka jo. Madje, ai tha se ajo kohë nuk do të kthehet më kurrë.
Këto komente, Anushiq i bëri pas reagimit të Beogradit zyrtar në lidhje me nënshkrimin e Memorandumit mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, memorandum të cilin Serbia e cilësoi si kërcënim për popullin serb.
MPJ-ja serbe madje tha se do të kërkojë sqarime shtesë nga Shqipëria dhe Kroacia për këtë çështje.
“Ka kaluar koha kur Kroacia e pyeti Beogradin se çfarë i lejohej të bënte dhe si duhet ta bënte, dhe kjo nuk do të ndodhë më kurrë. Ne jemi shtet i pavarur për 35 vjet, kemi kaluar pesë vjet agresioni dhe politike që komunikoi një narrativë të tillë. Kroacia ka të drejtë të nënshkruajë memorandume. Kosova është një vend mik që ne e kemi njohur dhe në këtë Memorandum do të bashkohen edhe vende të tjera. Në dokument nuk përmendet Serbia, agresioni apo ndonjë aktivitet që mund të rrezikojë dikë, përfshirë edhe Serbinë”, tha zëvendëskryeministri kroat.
Ai shtoi se qëllimi është bashkëpunimi me vende dhe industri të tjera, shkëmbimi i njohurive dhe puna së bashku për të luftuar kërcënimet kibernetike, ndaj të cilave Kroacia, Kosova dhe Shqipëria janë ekspozuar në pesë apo gjashtë vitet e fundit.
“Memorandumi ka të bëjë me parandalimin e kërcënimeve të sigurisë në territorin e tre vendeve. Kroacia sigurisht nuk do të kërkojë lejen e Beogradit për vendimet e saj”, potencoi Anushiq.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha dje se synimi i bashkëpunimit nuk është kërcënim për askënd, por mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.