Ministri izraelit i Mbrojtjes kërcënon se do ta zvogëlojë dhe izolojë më tej Gazën

Ministri izraelit i Mbrojtjes kërcënon se do ta zvogëlojë dhe izolojë më tej Gazën

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, kërcënoi të dielën se do ta zvogëlojë më tej dhe do ta izolojë Gazën, ndërsa operacionet ushtarake intensifikohen në enklavën palestineze.

“Gaza do të bëhet më e vogël dhe më e izoluar, dhe gjithnjë e më shumë banorë të saj do të detyrohen të evakuohen nga zonat e luftimeve,” shkroi Katz në rrjetin X.

Ai tha se gjatë festës hebraike të Pashkës, ushtria izraelite mori kontrollin mbi boshtin Morag – një korridor 12 kilometra i gjatë që shtrihet nga lindja në perëndim nëpër Gazë dhe që ndan qytetet Khan Younis dhe Rafah.

Sipas tij, zona mes korridorit Filadelfi dhe Moragut tani është shndërruar në “pjesë të zonës së sigurisë izraelite”.

Katz tha se Izraeli gjithashtu ka zgjeruar zonën tampon në Gazën veriore, duke zhvendosur qindra mijëra palestinezë dhe duke shndërruar pjesë të territorit në zona sigurie izraelite.

Ai shtoi se këto veprime janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të ushtruar presion mbi grupin palestinez Hamas që të pranojë një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Katz theksoi se ushtria izraelite do të vazhdojë me përshkallëzimin e operacioneve për sa kohë që Hamasi refuzon kushtet izraelite.

Ushtria izraelite ka lëshuar ditët e fundit urdhra për evakuim të detyruar në zonat Beit Lahia, Beit Hanoun dhe Jabalia në Gazën veriore, si dhe për të gjithë qytetin Rafah dhe pjesë të Khan Younisit.

Të shtunën, ushtria izraelite njoftoi se kishte përfunduar rrethimin e Rafahut dhe kishte vendosur boshtin Morag që e ndan atë nga Khan Younisi.

Izraeli rifilloi sulmet ndaj Gazës më 18 mars, duke shkelur marrëveshjen për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve të arritur më 19 janar.

Më shumë se 50.900 palestinezë janë vrarë në Gazë nga sulmet brutale izraelite që nga tetori 2023, shumica gra dhe fëmijë.

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi në nëntor të vitit të kaluar urdhërarrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gazë.

Izraeli po përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkak të luftës në enklavë.

MARKETING