Ministri izraelit i kërkon ushtrisë një plan për zhvendosjen me forcë të palestinezëve nga Gaza
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz ka udhëzuar ushtrinë izraelite për përgatitjen e një plani për të zhvendosur me forcë palestinezët nga Rripi i Gazës, transmeton Anadolu.
Sipas televizionit shtetëror izraelit Kan, Katz bëri një deklaratë në lidhje me idenë e presidentit amerikan Donald Trump për dëbimin e palestinezëve nga Rripi i Gazës në vende të ndryshme, veçanërisht në Egjipt dhe Jordani.
Katz tha se në kuadër të zbatimit të deklaratave të Trumpit, ai si hap të parë ka udhëzuar ushtrinë izraelite për përgatitjen e një plani dhe se plani në fjalë krahas rrugës tokësore do të përfshijë edhe evakuimin e palestinezëve përmes rrugës detare dhe ajrore.
Ai tha se i ka mirëpritur deklaratat e Trumpit dhe se Kanadaja gjithashtu ka dashur të pranonte banorët e Gazës në të kaluarën. Katz pretendon se vendet që kritikojnë Izraelin, si Spanja, Irlanda dhe Norvegjia, janë të detyruara të pranojnë palestinezët e Gazës.
– Plani i Trumpit për të “marrë përsipër” Gazën dhe për të zhvendosur me forcë palestinezët
Presidenti amerikan Trump ka hedhur idenë e dëbimit të palestinezëve nga Gaza në vendet arabe, veçanërisht në Jordani dhe Egjipt.
Për “pastrimin” e Gazës, Trump u bëri thirrje vendeve në fjalë që të pranojnë më shumë palestinezë dhe vendosjen e tyre në “banesa që do të ndërtohen në vende të ndryshme”, ndërsa mbrojti idenë për rindërtimin e zonës pasi palestinezët të largohen nga toka e tyre.
Trump ka thënë se ai ëndërron që SHBA-ja të marrë kontrollin e Rripit të Gazës dhe ta kthejë zonën në një vend “ndërkombëtar” ku do të jetojnë njerëz nga pjesë të ndryshme të botës.