Ministri Hoxha takon ambasadorin turk në Tiranë, në fokus marrëdhëniet mes dy vendeve

Ministri Hoxha takon ambasadorin turk në Tiranë, në fokus marrëdhëniet mes dy vendeve

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Hoxha, ka pritur në një takim ambasadorin turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë thuhet se gjatë takimit është biseduar rreth marrëdhënieve mes dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e sigurisë.

Sipas njoftimit, ministri Hoxha shprehu vlerësime në lidhje me bashkëpunimin dypalësh, “njëherësh dinamik e mjaft të frytshëm me shtetin turk”.

“Për ministrin Hoxhën, Türkiye është një partner kryesor në fushën e sigurisë, por edhe kualifikimeve në Akademinë e Sigurisë, në kuadër të zbatimit të marrëveshjeve të shkollimit dhe asistencës te përhershme”, thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se ambasadori turk u zotua për dhënien e ndihmës së vazhdueshme ndaj Shqipërisë. “Jemi për të mbështetur Shqipërinë si dhe për të përcjellë gjithmonë përkrahjen e shtetit turk”, është shprehur ambasadori Atay.

Gjithashtu thuhet se në bisedë palët shprehën reciprokisht mirënjohjen e thellë për solidaritetin e dëshmuar dhe ndihmën e menjëhershme gjatë periudhës kur dy vendet u përfshinë në emergjenca.

Sipas njoftimit, ministri Hoxha pranoi ftesën për një vizitë zyrtare në Türkiye.

MARKETING