Ministri danez qorton administratën Trump: Nuk flitet kështu me aleatët e ngushtë

Ministri i Jashtëm i Danimarkës ka qortuar administratën Trump për “tonin” kundër Danimarkës dhe Grenlandës, duke thënë se shteti i tij tashmë po investon më shumë në sigurinë e Arktikut dhe mbetet i hapur për bashkëpunim me SHBA-në.
Ministri Lars Lokke Rasmussen është deklaruar pas vizitës së zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance në Grenlandë.
“Shumë akuza dhe shumë pretendime janë bërë. Dhe sigurisht ne jemi të hapur ndaj kritikave. Por, më lini të jem krejt i sinqertë: ne nuk e vlerësojmë tonin me të cilin po jepet. Kjo nuk është mënyra se si flisni me aleatët e ngushtë. Dhe unë ende i konsideroj Danimarkën dhe Shtetet e Bashkuara si aleatë të ngushtë”, ka thënë ai përmes një videomesazhi, raportoi AP.
Vance të premten ka thënë se Danimarka nuk ka investuar në sigurinë e Grenlandës dhe ka kërkuar që Danimarka ta ndryshojë qasjen teksa presidenti Donald Trump shtyn idenë për marrjen e kontrollit të territorit danez.