Ministri Ben-Gvir krenohet se ka rrënuar 5.700 shtëpi palestineze brenda një viti, zotohet të rrënojë edhe më shumë
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, është shprehur krenar se ka rrënuar 5.700 shtëpi palestineze gjatë vitit të kaluar, duke u zotuar se do të rrënojë edhe më shumë ndërtesa në mes të përshkallëzimit të vazhdueshëm ushtarak izraelit kundër palestinezëve, transmeton Anadolu.
“Kam rrënuar 5.700 shtëpi vetëm gjatë vitit të kaluar. Do të vazhdoj të rrënoj gjithnjë e më shumë shtëpi në komunitetet beduine”, tha Ben-Gvir gjatë një konference për media në Tel Aviv, citohet nga transmetuesi izraelit Channel 12.
Fshatrat dhe komunitetet beduine palestineze janë të shpërndara në veri dhe jug të Izraelit, përfshirë rajonin e Negevit, si dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Në një raport të publikuar më 10 qershor, Amnesty International tha se Izraeli ka përshpejtuar politikat që synojnë komunitetet beduine dhe ato blegtorale në Bregun Perëndimor të pushtuar përmes konfiskimit të tokave dhe masave të lidhura me to.
“Së paku 117 komunitete palestineze, kryesisht beduine dhe blegtorale, janë përballur me zhvendosje të plotë ose të pjesshme midis janarit 2023 dhe prillit 2026, sipas OCHA-së. Deri në fund të prillit 2026, të paktën 5.910 persona ishin zhvendosur me forcë”, tha Amnesty, duke cituar Zyrën e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.
Bregu Perëndimor ka përjetuar një rritje të rrënimeve dhe sulmeve nga kolonët dhe ushtria izraelite kundër palestinezëve dhe pronave të tyre, me qëllim zhvendosjen e banorëve dhe zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme në territorin e pushtuar.
Që nga 8 tetori i vitit 2023, sipas shifrave zyrtare palestineze, përshkallëzimi izraelit nga ushtria dhe kolonët në Bregun Perëndimor ka vrarë 1.173 palestinezë, ka plagosur 12.666 të tjerë, ka çuar në arrestimin e rreth 23.000 personave dhe në zhvendosjen e 33.000 të tjerëve.
Palestinezët paralajmërojnë se këto sulme po i hapin rrugën Izraelit për të aneksuar zyrtarisht Bregun Perëndimor të pushtuar, gjë që do t’i jepte fund mundësisë për krijimin e një shteti të pavarur palestinez në përputhje me rezolutat e OKB-së.
Izraeli u krijua në vitin 1948 në toka të pushtuara nga grupe të armatosura sioniste dhe në vitin 1967 pushtoi territoret e mbetura palestineze, përfshirë Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe pjesën lindore të Kudsit.

