Ministrat izraelitë takohen nesër për të diskutuar të ardhmen e Gazës
Ministrat e qeverisë izraelite do të takohen gjatë ditës së nesërme për të diskutuar të ardhmen e Rripit të Gazës në mes të luftës gjenocidale të Tel Avivit ndaj enklavës palestineze, transmeton Anadolu.
Sipas të përditshmes izraelite ‘Yedioth Ahronoth’, ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, do të takohet me ministrat për të diskutuar të ardhmen e Gazës dhe për një alternativë të mundshme ndaj administrimit të grupit palestinez Hamas në enklavë.
Kabineti izraelit i Sigurisë ishte planifikua të mblidhet këtë javë për të diskutuar situatën në Gaza, por takimi u shty pasi kryeministri Benjamin Netanyahu iu nënshtrua një operacioni.
Takimi i nesërm do të mbahet në mes të një ngërçi në negociatat që synojnë arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Gaza dhe të shkëmbimit të të burgosurve me Hamasin.
Që nga 7 tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vazhduar luftën gjenocidale në Gaza që ka vrarë të paktën 45.550 viktima, kryesisht gra dhe fëmijë, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Në muajin nëntor, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën e tij në enklavë gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.