Minçev kundërshton Mexhitin për “punësimet masive”: Shembull klasik i populizmit parazgjedhor

Ministri për Administratë Publike, Goran Minçev i bënë thirrje zv. kryeministrit Izet Mexhiti që të mos sillet si “Lisa në botën e çudirave” duke premtuar diçka që nuk është reale, dhe as e mundur pa shkeljen e procedurave ligjore dhe principeve për udhëheqje të mirë, se këtë vit do të punësohen mijëra shqiptarë në shtet dhe administratën publike.
Sipas Minçevit, deklarata e Mexhitit është një shembull klasik i populizmit parazgjedhor, pa asnjë bazë ligjore apo institucionale.
“Të gjitha punësimet në sektorin publik aktualisht kryhen ekskluzivisht sipas nevojave të institucioneve, në bazë të pëlqimeve të marra paraprakisht nga institucionet përkatëse dhe në përputhje me Ligjin për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligjin për nëpunësit administrativë. “Çdo punësim bazohet në parimet e kompetencës, ekspertizës dhe gatishmërisë profesionale të kandidatëve, e jo në premtime partiake apo presione politike”, thekson Minçev.
Punësimi dhe avancimet në sektorin publik, sipas Minçevit, duhet të bazohen vetëm në cilësinë dhe aftësitë e kandidatëve, e jo në përkatësinë e tyre etnike apo politike.
Mexhiti më herët njoftoi se brenda këtij viti do të punësohen dy-tre mijë shqiptarë nëpër institucionet shtetërore dhe administratën publike.