Milano-Cortina 2026/SHBA në parajsë, medalje e artë, 46 vjet pas ‘mrekullisë në akull’
SHBA kthehet të fitojë medaljen e artë olimpike në hokej, 46 vjet pas ‘Mrekullisë në akull’ të vitit 1980 në Lake Placid. Kombëtarja amerikane triumfoi në finalen maratonë në Milano-Cortinas ndaj Kanadasë, me këtë të fundit që e ka fituar plot 9 herë medaljen e artë olimpike në këtë disiplinë të sporteve dimërore.
Në këtë mënyrë skuadra e hokejit të djemve përsëriti atë të ekipit të vajzave, edhe ato ndaj Kanadasë duke e cuar në 30 numrin total të medaljeve të fituara, 12 nga të cilat vetëm medalje të arta.
Në Milano Santagiulia Ice Hockey Arena u zhvillua finalja më e shumëpritur që nuk i zhgënjeu pritshmëritë me SHBA që fitoi 2-1, por vetëm pas kohës shtesë pasi nuk mjaftuan 60 minuta betejë në akull për të përcaktuar fituesin e medaljes më të çmuar. Amerikanët morën avantazhin pas 12 minutave në periodën e parë falë golit të Minnesota Ëild Matt Boldy. Kanadaja arriti të vendosë ekuilibrin në këtë ndeshje 2 minuta nga fundi i periodës së tretë me golin e Cale Makar, sulmuesin e Colorado Avalanche. Fati i ndeshjes u vendos në kohën shtesë dhe heroi i amerikanëve u bë Jack Hughes që shënoi golin që i ktheu medaljen e artë SHBA pas 46 vitesh pritjeje.
Për SHBA kjo është hera e tretë që fiton medaljen e artë në Lojërat Olimpike Dimërore pas atyre të 1960 në Squaë Valley dhe 1980 në Lake Placid. Kjo e fundit ka hyrë në historinë e këtij sporti me emrin ‘Mrekullia në akull’ pasi në atë kohë SHBA arriti të fitojë ndaj skuadrës shumë të fortë të Bashkimit Sovjetik event të cilit i është dedikuar edhe një realizim kinematografik me të njëjtin titull.
Për fitoren e medaljes së artë të SHBA në hokejin në akull në Milano Cortina festoi edhe presidenti Donald Trump i cili u përfol se do të ishte në këtë finale dhe për ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike Dimërore. ‘Fituan medaljen e artë. Çfarë ndeshjeje’-shkruante shefi i Shtëpisë së Bardhë në Truth Social.

