Mickoski: Qeveria e kaluar bllokoi eurointegrimin e vendit
Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se reagimi i Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, në të cilin nuk përmendet gjuha maqedonase, dëshmon se kërkesat ndaj Maqedonisë së Veriut shkojnë përtej përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë dhe synojnë, sipas tij, ridefinimin e identitetit maqedonas.
Ai theksoi se kjo ka qenë një tezë e Qeverisë që nga fillimi dhe se zhvillimet e fundit vetëm e forcojnë këtë qëndrim.
Mickoski u bëri thirrje partive opozitare që të tregojnë unitet në raport me Bullgarinë dhe të vendosin interesat shtetërore mbi dallimet politike.
“Këto janë çështje ku nuk duhet të ketë pushtet apo opozitë. Duhet të jemi bashkë si popull dhe si shtet, në mbrojtje të interesave kombëtare”, deklaroi kryeministri.
Ai kritikoi gjithashtu qeverinë e kaluar për, siç u shpreh, pranimin e ultimatumeve bullgare, duke vlerësuar se ky veprim ka dëmtuar procesin e integrimit evropian të vendit.
Sipas Mickoskit, vetëm një qëndrim i përbashkët politik dhe shoqëror mund të sigurojë mbrojtjen e identitetit maqedonas dhe një qasje më dinjitoze në proceset eurointegruese.

