Mickoski pas takimit me Vuçiqin: Duhet të krijojmë ura për bashkëpunim ekonomik dhe politik me të gjithë fqinjët
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ndodhet në një udhëtim zyrtar në Serbi, ku u takua me krerët shtetërorë të vendit fqinj, transmeton Anadolu.
Pas takimit me presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Mickoski theksoi nevojën për bashkëpunim më të madh ekonomik dhe politik.
“Të dy shtetet nuk kanë çështje të hapura dhe marrëdhëniet bazohen në respektin dhe miqësinë reciproke. Ne duhet të krijojmë ura për bashkëpunim ekonomik dhe politik me të gjithë fqinjët tanë dhe të ndërtojmë një të ardhme për qytetarët tanë”, tha kryeministri Mickoski në një postim në X.
Ai realizoi një takim edhe me homologun e tij, kryeministrin e Republikës së Serbisë, Millosh Vuçeviq, me ç’rast theksoi se takimi është mbajtur në frymën e marrëdhënieve tradicionalisht të mira midis dy vendeve.
“Diskutuam për përmirësimin e bashkëpunimit në energjetikë, ekonomi dhe infrastrukturën e transportit, si dhe për përpjekjet e përbashkëta për të trajtuar sfidat rajonale”, tha Mickoski në një postim tjetër në X.