Mickoski nga Tirana: Plani i Rritjes është më shumë se një iniciativë, është angazhim për ndryshim të vërtetë

Mickoski nga Tirana: Plani i Rritjes është më shumë se një iniciativë, është angazhim për ndryshim të vërtetë

ryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor mbi Planin e Rritjes në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, se Plani i Rritjes është më shumë sesa një iniciativë, është një angazhim për ndryshim të vërtetë, transmeton Anadolu.

Mickoski mbajti një fjalim në panelin e diskutimit me temë “Përmbushja e angazhimeve të përbashkëta – Rezultatet dhe përshpejtimi” në kuadër të samitit.

“Është një histori e shndërrimit të angazhimit në ndryshim të vërtetë”, tha Mickoski duke theksuar se Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë në rajon që funksionalizoi Instrumentin e Reformës dhe Rritjes dhe i pari që mori parafinancim sipas Planit.

Ai tha se axhenda e tyre e reformave, e cila është miratuar edhe nga Komisioni Evropian, përqendrohet në qeverisjen e mirë, energjinë e pastër, arsimin, zhvillimin e biznesit dhe sundimin e ligjit.

Mickoski shpjegoi se po vazhdojnë me hapa të mëtejshëm reformash në të gjithë sektorët, duke shtuar se vendi është ndër partnerët e parë nga Ballkani Perëndimor i integruar në Zonën e Përbashkët të Pagesave në Euro (SEPA). Ai tha se projekti WiFi për Ballkanin Perëndimor (WiFi4WB) po zbatohet në 63 komuna.

– “Ne reformojmë sepse besojmë në idenë evropiane”

Mickoski iu referua ndërlidhjes si një përparësi kryesore, duke folur për modernizimin e tre pikave kufitare, Deve Bair, Bllacë dhe Bogorodicë, në kuadër të iniciativës së Brezit të Gjelbër, “duke e bërë Evropën fizikisht më afër qytetarëve të saj”.

“Në total, projekte me vlerë rreth 1.1 miliardë euro janë në kuadër të Planit të Rritjes, nga të cilat mbi gjysmë miliardi janë grante të BE-së”, theksoi Mickoski.

“Ne nuk reformojmë sepse pritet prej nesh, por reformojmë sepse besojmë në idenë evropiane. Ne po e ndërtojmë Evropën në vend me politikat tona, me veprimet tona dhe me vlerat tona”, tha ai duke shtuar se ata presin nga partnerët e tyre një qasje meritokratike që shpërblen rezultatet dhe njeh angazhimin.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka pritur sot në ambientet e Pallatit të Brigadave në Tiranë liderët dhe zyrtarët e tjerë pjesëmarrës në samit, si kryeministrin në detyrë të Kosovës Albin Kurti, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, kryeministrin serb Gjuro Macut, kryeministrin malazez Milojko Spajiq, kryetaren e Këshillit të Ministrave të BeH-së Borjana Krishto dhe komisioneren për Zgjerimin të BE-së, Marta Kos.

Pas paneleve Rama dhe Kos mbajtën konferencë të përbashkët për mediat.

MARKETING