Mickoski: Çmimet në restorante do vazhdojnë të rriten sa kohë ka klientë

Qeveria nuk mund t’i kufizojë çmimet që vendosin restorantet, kafenetë dhe kompanitë e transportit, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke i theksuar pikërisht shërbimet si nxitësit kryesorë të inflacionit. Sipas tij, çmimet e këtyre shërbimeve do të vazhdojnë të rriten përderisa ka konsumatorë që mund t’i paguajnë ato.
“Do të përpiqemi të ndërhyjmë në pjesën e shërbimeve, brenda mundësive. Por nuk mund t’u kufizojmë restoranteve, kafeneve apo kompanive të transportit çmimin që do të vendosin për atë shërbim. Për sa kohë që dikush mund ta paguajë atë shërbim, ata, për fat të keq, do ta rrisin çmimin dhe kjo do të ndikojë në inflacionin përfundimtar,” tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në kazermën e Shtipit “Jane Sandanski” gjatë prezantimit të automjeteve të reja të blinduara.
Ai tha se analiza ka treguar se kufizimi ad hoc i marzheve, si masë, ndikon negativisht në muajt që pasojnë, duke hapur pyetjen nëse me masa të tilla dëmtohet ekonomia e tregut.
Në të njëjtën kohë, kryeministri paralajmëroi se Qeveria nuk do të tolerojë abuzime nga “disa zinxhirë supermarketesh”.
“Nuk do të tolerojmë sjellje të papërgjegjshme nga disa zinxhirë supermarketesh që përmes marketingut të fshehur përpiqen të shmangin ligjet. Shumë shpejt do të dalim në terren dhe këto shërbime të marketingut të fshehur do të sanksionohen ashpër,” deklaroi Mickoski, duke shtuar se Agjencia për Mbrojtjen e Konkurrencës tashmë po punon në rastin.
Sa i përket të ardhurave të qytetarëve, ai tha se politikat e ardhshme do të fokusohen në lidhjen e rritjes së të ardhurave personale me rritjen e produktivitetit, edhe pse, siç theksoi ai, kjo mund të ketë pasoja politike dhe të shkaktojë pakënaqësi.