Micevski: Takimi i liderëve është një mënyrë për faktorizimin e liderit të opozitës

Koordinatori i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, sonte deklaroi se ende nuk ka kërkesë zyrtare për takim të liderëve të iniciuar nga kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe dhe se një takim të tillë e sheh si mënyrë për faktorizimin e liderit të opozitës.
“Irelevante është vendi ku do të mbahej diçka e tillë. Ajo që është më tepër një pyetje e hapur është se ne nga kryetari i Lidhjes Socilademokrate deri më tani nuk kemi dëgjuar asgjë konkrete dhe të hapur lidhur me atë që është paralajmëruar, pra atë takim të liderëve që po flitet në media. Është joserioze të të gjitha qëndrimet t’i kuptojmë nga mediat dhe ajo që unë e perceptoj si fakt është se kryetari i Lidhjes Socialdemokrate, Filipçe, është në kërkim të mënyrës që të faktorizohet si politikan, gjegjësisht si lider i një partie opozitare. Sipas meje, një kërkesë e tillë në thelb nuk është asgjë dhe nuk jep asnjë rezultat, por e vetmja mundësi është faktorizimi i Venko Filipçes dhe përfshirja e VMRO-DPMNE-së apo e koalicionit qeverisës në diçka në të cilën për momentin nuk ka nevojë të përfshihet”, tha Micevski.
Duke u përqëndruar në nismën e Bashkimit Demokratik për Integrim për formimin e Komisionit Anketues në Kuvend për drejtësi joselektive për tragjedinë e Koçanit, Micevski vlerësoi se kjo iniciativë është antikushtetuese dhe se në vend të 20 nënshkrimeve të nevojshme të deputetëve, vetëm 16 deputetë e kanë nënshkruar.
“Informacionet që kam, ajo që Fronti Europian i ka paraqitur si kërkesë në Kuvend është jashtë normave kushtetuese, gjegjësisht të formohet një Komisioni Anketues, duhen 20 nënshkrime të deputetëve dhe aktualisht kanë 16 nënshkrime. Vetë titulli i atij Komisioni Anketues , apo marrja e informacionit për situatën është paksa shqetësuese, duke qenë se Kuvendi nuk ka apo nuk ka vetë Komisioni një funksion hetimor. Ajo që duhet të bëjë Kuvendi është të arrijë në konkluzione politike në bazë të asaj që ka ndodhur në një situatë, rast apo proces të caktuar”, tha Micevski.
Ai tregoi se janë të hapur për të folur nëse ka propozim në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.