Micevski: Shpreh indinjatë për sjelljen e pahijshme dhe të papërgjegjshme të deputetit Dimitar Apasiev
Së pari si person, ndërsa pastaj si deputet dhe koordinator i grupit parlamentar në Kuvend, dua të shpreh shqetësimin tim të madh për sjelljen e pahijshme dhe të papërgjegjshme gjatë ditës së sotme në Kuvend të kryetarit të partisë E Majta dhe deputetit, Dimitar Apasiev, ka shkruar në profilin e tij në Fejsbuk, koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
“Në fakt, komplekset, nervoza dhe agresioni, mungesa e edukimit familjar dhe mungesa e kulturës bazë, sot përjetuan kulmin e tyre. Tërbimi i pakontrolluar dhe ofendimet fizike dhe verbale të personit Dimitar Apasiev ndaj kolegëve deputetë, burra e gra, ishin vetëm një përpjekje e dëshpëruar e të ashtuquajturit ‘profesor universitar’ për të kënaqur etjen e tij për vëmendje dhe ‘pëlqime’ mediatike në rrjetet sociale”, publikoi Micevski.
E vetmja gjë e mirë që mund të vijë nga kjo sjellje e ulët, skandaloze dhe e paturpshme e Apasievit, shkruan ai, është se i gjithë opinioni vendor, “drejtpërdrejt në kanalin parlamentar pati mundësinë të shohë dhe të bindet në fytyrën e vërtetë të D. Apasievit dhe mënyrën se si partia e tyre e “Fejsbukut” vepron dhe sillet”.
“Falje publike dhe pendim të sinqertë për fjalët dhe veprimet e pahijshme ndaj kolegëve deputetë nga një person që nuk posedon vlerat dhe dinjitetin elementar njerëzor, nuk e kërkoj dhe sinqerisht nuk e pres. Por të paktën, pres që ai të pendohet dhe t’u kërkojë falje të gjitha grave, nënave, motrave dhe vajzave të cilat sot indirekt i ofendoi dhe poshtëroi në mënyrën më brutale. Në fund do të dërgoja një mesazh me shpresë dhe dëshirë që ky turp të mos përsëritet më!”, ka shkruar në Fejsbuk, Nikolla Micevski.