MF: “Standard dhe Purs” e konfirmoi rejtingun kreditor të vendit, rritja ekonomike vijon të jetë prioritet

Agjencia kreditore “Standard dhe Purs” në raportin e fundit, e konfirmoi rejtingun kreditor të vendit me BB-, resprektivisht me perspektivë stabile, që është gjithashtu konfirmim i politikave të zhvilluara të Qeverisë dhe paraqet sinjal të rëndësishëm për investitorët gjatë vendimmarrjes së tyre për investime, njoftoi Ministria e Financave (MF).
Në raport, Agjencia Kreditore thekson se rritja ekonomike po përshpejtohet dhe vijon të jetë përparësi për Qeverinë.
Në raport theksohet se rritja ekonomike këtë vit pritet të mbështetet kryesisht nga konsumi i amvisërive, e nxitur nga rritja e pagave dhe pensioneve, si dhe nga rritja e aktivitetit të investimeve, veçanërisht në fushën e infrastrukturës. Agjencia gjithashtu thekson risqet për shkak të pasigurisë së ekonomisë evropiane si partnere kryesore tregtare e vendit. Kjo Agjenci po projekton se deri në vitin 2028, rritja do të stabilizohet në nivel prej rreth 3%, e përkrahur nga rimëkëmbja graduale e kërkesës së jashtme dhe rritjes së investimeve.
Qeveria, siç qëndron në raport, vazhdon me përpjekjet drejt zbatimit të reformave institucionale, luftës kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit, që janë parakushtet kryesore për integrim në BE. “Standard & Poor’s” thekson se rritja ekonomike vijon të jetë prioritet kryesor për Qeverinë, me qëllim të arritjes së rritjes deri në 5% në periudhë afatmesme, e nxitur nga realizimi i projekteve ambicioze infrastrukturore, siç janë korridoret 8 dhe 10d dhe rritja e investimeve në sektorin privat. Më tej vijon arkëtimi efikas i tatimeve, si dhe rritja e mëtejshme e pensioneve dhe pagave në sektorin publik për ta përkrahur kërkesën e brendshme. Gjithashtu theksohet se shpenzimet publike mbeten ekspansive, me ç’rast referohet edhe zbatimi i konsolidimit fiskal, duke theksuar se me ribalancin e miratuar konfirmohet qëllimi për deficitin buxhetor në nivel prej 4% të PBB-së në vitin 2025. Sipas kësaj Agjencie, Strategjia fiskale përcakton konsolidim gradual fiskal, por ajo ka pritshmëri lidhur me aspektin e risqeve të caktuara me realizimin e projeksioneve. Të hyrat nga fillimii vitit deri në muajin maj kanë shënuar rritje prej 9% në nivel vjetor, të nxitura nga rritja e arkëtimit të tatimit mbi të ardhurat personale, rritja e të hyrave nga akcizat, si dhe nga rritja e të hyrave jotatimore. Sa i përket shpenzimeve, konsumi në periudhën e njëjtë të vitit shënoi rritje prej 5%, si rezultat i rritjes së pagave në sektorin publik, shpenzimeve rrjedhëse dhe transfertave sociale. Në lidhje me borxhin, theksojnë se edhe përkrah kushteve të tensionuara financiare globale, servisimi i tij mbetet relativisht i kontrolluar.
Sipas “Standard dhe Purs”, Qeveria edhe më tutje mbetet e përkushtuar në eurointegrimet, proces që Agjencia e përmend si një nga shtyllat kryesore për progresin e reformave strukturore afatmesme.
Rejtingun kreditor të vendit “Standard dhe Purs” e vlerëson dy herë në vit.