Mexhiti takon banorët e Straçincës: Do t’i merret koncesioni gurores që rrezikon jetën e tyre!

Mexhiti takon banorët e Straçincës: Do t’i merret koncesioni gurores që rrezikon jetën e tyre!

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, mbrëmë ka vizituar fshatin Straçincë të Shkupit, ku ka takuar banorët e këtij vendbanimi, të cilët protestojnë kundër nisjes me punë të gurores në këtë vendbanim.

Mexhiti i njoftoi banorët se ministria që drejton ai ka dhënë vendim negativ për kërkesën e hapjes së gurores në rajonin e Straçincës.

Ky vendim, tha Mexhiti, vjen si rezultat i shqetësimeve të vazhdueshme të banorëve dhe analizave të kryera nga institucionet përkatëse mbi ndikimin negativ që do të kishte një aktivitet i tillë në kushte vërshimesh, por edhe për shëndetin dhe jetën e këtyre banorëve.

“Ky është një lajm i shumëpritur për banorët e Straçincës, të cilët me vite kanë qenë të shqetësuar për ndikimin e mundshëm të gurores në mjedisin dhe jetesën e tyre”, deklaroi Mexhiti, duke shtuar se leje për punë është dhënë vite më parë nga qeveritë e kaluara.

Hapi i radhës, sipas tij, është shfuqizimi përfundimtar i koncesionit i cili është parashikuar të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.

Ky vendim do të përmbyll zyrtarisht çështjen, duke e kthyer drejtësinë në anën e banorëve.

Për më tepër, Mexhiti theksoi angazhimin për pyllëzimin e sërishëm të kësaj zone.

MARKETING