Mexhiti realizon premtimin ndaj banorëve të Batincës – fillon ndërtimi i rrethimit të deponisë “Drislla”

Mexhiti realizon premtimin ndaj banorëve të Batincës – fillon ndërtimi i rrethimit të deponisë “Drislla”

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot vizitoi deponinë “Drislla”, ku njoftoi fillimin e punimeve për ndërtimin e rrethimit mbrojtës të hapësirës, projekt ky që realizon kërkesën e banorëve të fshatit Batincë për mbrojtje nga qentë endacakë dhe ndotja e mbeturinave.

Mexhiti, i shoqëruar nga kryetari i BNJVL-së, Orce Gjeorgjievski, deklaroi para mediave se që nga dita e parë e mandatit të tij është përballur me një nga problemet më të mëdha të kryeqytetit, menaxhimin e keq dhe të paorganizuar të deponisë “Drislla” por theksoi se me këtë projekt fillon një fazë e re e rregullimit dhe kontrollit të saj.

“Kjo deponi, prej vitesh burim i ndotjes dhe shqetësimeve për shëndetin e qytetarëve, ka qenë objekt i ankesave të shumta nga banorët e zonës, veçanërisht të Batincës. Pas disa takimeve që kam zhvilluar me ta, premtova ndërhyrje të menjëhershme dhe sot punimet kanë filluar,” tha Mexhiti.

Mexhiti theksoi se me këtë investim forcohet mbrojtja fizike e deponisë dhe ndërmerren masa të qëndrueshme për mbrojtjen e shëndetit publik dhe të mjedisit.

Sipas tij, me mjete nga Ministria e Mjedisit Jetësor në vlerë prej 9 milionë denarësh, do të ndërtohet rrethim 4.800 metra i gjatë dhe 1.5 metra i lartë, i montuar në 1.500 shtylla metalike, me tel të dyfishtë me gjemba dhe themele betoni, duke pamundësuar hyrjet e paautorizuara dhe përhapjen e ndotjes.

“Deponia ‘Drislla’ ka rëndësi strategjike për gjithë rajonin e Shkupit. Në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit dhe institucionet përkatëse, do të vazhdojmë të investojmë në modernizimin dhe transformimin e saj në një qendër bashkëkohore të riciklimit të mbeturinave,” përfundoi Mexhiti.

 

MARKETING