Mexhiti prezanton portalin e ri të shërbimeve publike për qytetarët e Çairit

Mexhiti prezanton portalin e ri të shërbimeve publike për qytetarët e Çairit

Kandidati i koalicionit VLEN për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me ministrin e Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, prezantuan sot në Sheshin Skënderbeu fazën e re të portalit të shërbimeve publike, i cili synon të lehtësojë qasjen dhe përdorimin e shërbimeve administrative për qytetarët dhe bizneset.

“Ky portal tani ofron më shumë mundësi se kurrë. Me vetëm disa klikime nga kompjuteri ose telefoni, në çdo kohë dhe nga çdo vend, mund të aplikoni, të paguani dhe të përfundoni shërbimet online,” tha Mexhiti, duke theksuar se portali është i disponueshëm 24/7 dhe në tre gjuhë: shqip, maqedonisht dhe anglisht.

Nëpërmjet portalit, qytetarët mund të marrin shërbime si ekstrakte, certifikata, letërnjoftime, dokumente udhëtimi dhe shërbime nga Kadastra. Për bizneset, janë të disponueshme licencat, vërtetimet për stazh dhe punësim, vërtetimet gjyqësore dhe shërbimet nga Agjencia e Ushqimit.

Një rëndësi e veçantë u kushtohet studentëve, të cilët përmes portalit mund të aplikojnë online për vauçera për pajisje elektronike, si laptopë dhe kompjuterë, duke ndjekur statusin e aplikimit në kohë reale, pa nevojën për pritje apo sportele.

Mexhiti paralajmëroi se digjitalizimi do të shtrihet edhe në nivelin lokal, duke informuar se së shpejti Komuna e Çairit do të ofrojë të gjitha shërbimet në mënyrë digjitale, duke sjellë standarde moderne për qytetarët.

MARKETING