Mexhiti nga shtabi zgjedhor Hamëz Jashari: Jemi forca e zhvillimit

VLEN:
Me entuziazëm dhe pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, mbrëmë u hap zyrtarisht shtabi zgjedhor në nëndegën “Hamëz Jashari”, që mban emrin e një prej figurave më të ndritura të historisë sonë kombëtare, kjo nëndegë bëhet shtëpia e të gjithë atyre që besojnë në ndryshim, zhvillim dhe drejtësi.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti theksoi se nga ky shtab nis kapitulli i fitores, një proces që do të kurorëzohet me mbështetjen e fuqishme të qytetarëve më 19 tetor.
“Çairasit e dinë mirë kush jemi dhe çfarë kemi bërë. Ne kemi sjellë investime të prekshme dhe transformuese si rrugë moderne me ndriçim, kanalizime funksionale, shkolla të reja dhe të rindërtuara, çerdhe për fëmijët tanë, kampusin universitar ‘Nëna Terezë’, si dhe sheshin ‘Skënderbeu’, projekte që i dhanë Çairit pamjen e një qyteti evropian.”
Në kontrast me këtë zhvillim, Mexhiti theksoi se kundërshtarët politikë nuk kanë as emër, as vepër.
“Ata e izoluan Çairin, e lanë pas dore, e ngushtuan dhe e varfëruan. Nuk sollën as investime, as shpresë, vetëm premtime të rrejshme dhe dështime të njëpasnjëshme”.
Dallimi sot është i qartë sepse ne jemi forca e zhvillimit, ata janë simboli i braktisjes, tha mes tjerash Mexhiti.
Më 19 Tetor, qytetarët do ta konfirmojnë këtë realitet me votën e tyre, duke zgjedhur të ardhmen dhe duke refuzuar dështimet e së kaluarës.
“Fitorja jonë do të jetë e madhe, e thellë dhe e sigurt sepse jemi një zë me qytetarët. Bashkë me ta, po ndërtojmë një Çair krenar, modern dhe evropian”, u shpreh para qytetarëve Mexhiti.