Mexhiti: ‘Kodra Free Riders’, të rinjtë që po sjellin frymë të re në Kodrën e Diellit
Zëvendëskryeministri i Parë, Izet Mexhiti, zhvilloi sot një takim me të rinjtë e grupit “Kodra Free Riders,” ku mori njohuri më të thella mbi vizionin e tyre për Kodrën e Diellit dhe Parkun Kombëtar të Sharrit.
Gjatë këtij takimi, Mexhiti vlerësoi planet e grupit si ambicioze dhe frymëzuese, duke theksuar se ata do të kenë mbështetje të plotë nga ana e tij. “Planet e tyre janë me potencial të madh dhe janë një shembull i angazhimit dhe pasionit për zhvillimin e rajonit. Për këtë arsye, do t’i mbështesim ata në çdo hap,” deklaroi Mexhiti.
Ja postimi i plotë i Mexhitit:
Zyrën time sot e mbushën me energji pozitive “Kodra Free Riders,” një grup të rinjsh plot pasion dhe vizion, që po sjellin një frymë të re në Kodrën e Diellit.
Këta të rinj entuziastë kanë një vizion të qartë: ta shndërrojnë Kodrën e Diellit dhe Parkun Kombëtar të Sharrit në destinacione të preferuara për turizëm gjatë gjithë vitit. Me aktivitete plot kreativitet, ata nuk ndalen së promovuari bukuritë e natyrës, qoftë në dimrin e bardhë apo në verën e gjelbër.
Planet e tyre janë ambicioze dhe frymëzuese: nga krijimi i hapësirave të dedikuara për menaxhimin e mbetjeve nga vikend-shtëpizat, deri te ndërtimi i një objekti që ofron bar-kafe dhe qendër për pajisje skijimi. Por më e veçanta, nje kinema në qiell të hapur, ku magjia e natyrës bashkohet me argëtimin nën yje.
Si Zëvendëskryeministër i Parë, nuk mund të mos admiroj vizionin dhe energjinë e tyre. U sigurova që mbështetja ime për ta do të jetë e plotë, sepse të rinjtë tanë meritojnë çdo mundësi për t’i bërë ëndrrat e tyre realitet dhe për ta kthyer vendin tonë në një shembull të suksesit. Kodrës së Diellit i ka dalë një dritë e re, dhe ata janë të rinjtë tanë!