Mexhiti: Dje ranë maskat, protagonistët e serialit të quajtur ‘rrënimi i qeverisë, dështuan’

Zv/kryeministri Izet Mexhiti ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Paraqitjet e djeshme të Arben Taravarit dhe Ali Ahmetit, Mexhiti i cilëson si rënie të maskave dhe shfaqje të marrëveshjes për bashkëpunim të cilin e kanë patur shumë më herët, e që për qëllim ka patur rrëzimin e Qeverisë.
“Dje ranë maskat: protagonistët e serialit latin publikisht e pranuan atë që e kam thënë shumë herë deri më sot: se gjatë gjithë kohës kishin marrëveshje të fshehtë bashkëpunimi.
Protagonistët e serialit të quajtur “Rrënimi i qeverisë, dështuan”. Nuk ndihmuan as fjalimet bombastike, as viktimizimi, as servilosja, as patriotizmi me bateri.
Ndryshimi vazhdon pa heronj të rrejshëm për një përdorim. Ndryshimi vazhdon si amanet i 107.000 votuesve shqiptarë që sot kanë çdo të drejtë të ndjehen të tradhëtuar. Lufta kundër korrupsionit nuk ka alternativë. Përgjegjësi për pasurimin e paligjshëm do të ketë.
Për fund: në vend të fjalimeve bombastike për gjoja se luftë kundër korrupsionit, i sugjeroj opozitës ta dëshmojë gatishmërinë e vet për hetim me vepra konkrete. Si fillim, le ta dorëzojë superfunksionarin e listës së zezë tek organet e hetuesisë”, ka shkruar Mexhiti.