Merz: Gjermania “nuk po jeton më në paqe”

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka paralajmëruar se Gjermania po përballet me një situatë sigurie të paparë për shkak të kërcënimeve hibride, përfshirë sulme kibernetike dhe operacione sabotimi, transmeton Anadolu.
“Ne nuk jemi në luftë, por gjithashtu nuk po jetojmë më në paqe”, tha Merz para drejtuesve të biznesit në samitin ‘Schwarz Ecosystem’ në Berlin, duke përshkruar atë që ai e konsideron si një realitet të ri të kërcënimeve hibride me të cilat përballet vendi.
Lideri konservator përshkroi një sërë aktivitetesh armiqësore, pa përmendur drejtpërdrejtë Rusinë, por duke nënkuptuar qartazi përfshirjen ruse.
“Fluturime dronësh, spiunazh, vrasja në Tiergarten dhe kërcënime serioze ndaj figurave publike, jo vetëm në Gjermani, por edhe në shumë vende evropiane”, tha Merz.
“Ne shohim akte sabotimi, përpjekje për çaktivizimin e qendrave të të dhënave dhe sulme kibernetike”, shtoi ai, duke theksuar se këto kërcënime janë reale.
Deklaratat e kancelarit Merz erdhën mes tensioneve të shtuara në gjithë Evropën. Disa aleatë të NATO-s, përfshirë Poloninë, Rumaninë dhe Estoninë, raportuan këtë muaj shkelje të hapësirës ajrore ose ndërprerje nga dronë, disa prej të cilave zyrtarët e NATO-s i konfirmuan si me origjinë ruse.
Moska i ka mohuar çdo shkelje në Estoni, ka pohuar se incidenti në Poloni ishte i paqëllimshëm dhe i ka hedhur poshtë akuzat e Rumanisë si një provokim ukrainas.