MENDËSIA E DJEGIES SË IDESË SË LARTË

Shkruan: Metin Izeti

Djegia dhe dhuna kundër idesë së tjetrit dhe veçanërisht asaj që përpiqet të ndikojë në ndryshimin e koncepteve të kalbura është një praktikë e vjetër në historinë e njerëzimit. Shoqëritë që nuk janë ushqyer me idenë e qiellit dhe që në epiqendër e kanë vendosur mendimin njerëzor, historikisht, nuk kanë patur virtytin për të duruar idenë e tjetrit. Grekët e vjetër e kanë konsideruar barbar çdo kend që nuk i ka takuar polis’it të tyre. Ngjashëm janë sjellur edhe romakët e vjetër me veriorët si dhe kisha perëndëmore me iluministët. Koncepti eurocentrist, në shumë segmente të mendimit filozofik dhe shoqëror, e ka tarshëguar këtë lloj të egocentrizmit dhe narcisizmit nga të parët. Si pasojë e një mendësie të tillë është shfaqur koncepti i dhunës strukturale ndaj idesë. Dëshmitarë të kësaj dhune strukturale, kohëve të fundit, në skenën e shteteve të “zhvilluara” europiane, jemi edhe ne të shekullit XXI.

Ngjarja me djegien e Kur’anit, në të cilën digjet një libër i shenjtë i cili botërisht njihet si ide e lartë dhe nga ana tjetër me miliona njerëz vëzhgojnë këtë pa ndonjë reagim të qartë, nuk mund të shkaktohet nga vullneti i një njeriu, por është pjesë e dhunës strukturale ndaj idesë së Islamit. Dhe cilat janë shkaqet atëherë? Nëse miliona njerëz vëzhgojnë pa reagim konkret një akt të tillë të shëmtuar, dhe që është e qartë për të gjithë, se nuk mund të ishte më mirë për askënd, por më keq për të gjithë, atëherë pse e bënë këtë? (…) Prandaj, sepse ishte e domosdoshme, sepse duke e bërë këtë, egocentrikët dhe “barbarët” praktikonin  ligjin elementar zoologjik, të vrasjes së tjetrit për të imponuar fuqinë personale. Asnjë përgjigje tjetër nuk mund t’i jepet kësaj ngjarjeje të tmerrshme. Ndërkohë, ngjarja e tmerrshme ka marrë përgjigje të shumta “të reja”, më ngushëllueset e të cilave mohojnë programimin zoologjik për dhunë, paralajmërojnë mekanizma komplekse të manipulimit dhe identifikimit ideologjik, të prodhimit racionalisht të përcaktuar të urrejtjes. Ata që janë më pak optimistë dhe për këtë arsye më pak të ndritur i kthehen analizës së Tolstoit për njeriun si vullnet për të vrarë idenë e tjetrit. Kjo mendësi i kthen tendencat vrastare dhe vetëvrasëse të idesë në sferën e sekularizuar të papërgjegjshmërisë së përgjithshme njerëzore.

Edhe Sofokliu e dënoi mentalitetin ushtarak të Herakliut për djegien e qyteteve vetëm për të legjitimuar pasionin e tij për plaçkën e luftës dhe pasurive të “të tjerëve”, ndaj Europa e din atë mësim për dy mijë vjet dhe nuk jemi as më të mirë e as më të zgjuar se ai, si duket. Nëse Herakliu bashkëkohor merr imazhin e një politikani bashkëkohor dhe Sofokliu e përkrah në emër të “lirisë së mendimit” do të thotë që jemi shumë primitivë.Çfarë do të thotë për ne kur aktori i dhunës strukturale ndaj idesë së lartë, luan cinizmin e liberalit të zhvilluar dhe ai përcaktohet kryesisht si “mendimtar i lirë” dhe jo si një person i rrokur nga epidemia e dhunës strukturale? Dhe personazhet e tjera të shfaqjes, në vend të korit dinjitoz, janë thjesht shërbëtorë kozmetik të “zonjës së shtëpisë” dhe vetëm flasin me një diskurs të hollë? Këta dhe pyetje të ngjashme neve na çojnë në një përfundim se nuk bëhet fjalë për një individ të caktuar por për një mendësi të përgjithshme. Në një interpretim pak më analitik, djegësi është një lëndë e parë e ndërtuar në mënyrë atletike, aq i traumatizuar nga lufta e vazhdueshme, saqë vesh pajisje speciale dhe djegia e bën të lumtur. Ndoshta është e mundur të imagjinohet se një koncept i tillë ka vërtet fuqinë e “gjenocidit”, dhe duhet të jetë që misionet e tij të bëhen të mundura nga një sistem politik më i gjerë, që, shumica, nuk guxon ta specifikojë. Rezulton se në epokën pas Hitlerit, morali europian është vazhdimisht në kërkim të një Führeri të ri, në vend që të njohë të keqen në shtrirjen e vullnetit të përditshëm, të përgjithshëm njerëzor për të parë se çka është duke ndodhur dhe vazhdon me pritjen për t’u “vetëshkatërruar”.Ngjarja e djegies së Kur’anit mund të lexohet si një tekst vazhdimisht i rëndësishëm i fajit, një tekst që sfidon “njerëzimin” me vetë faktin se kërkon bindje ndaj urrejtjes atërore të transmetuar brez pas brezi, asgjë më shumë nuk ndodh.

Zjarri ka qenë prej kohësh një nga motivet e preferuara të Hitlerit, dhe me rritjen e fuqisë së tij, u rrit edhe përdorimi i motivit të zjarrit në ceremonitë naziste. Në librin e tij Mein Kampfai shkroi: ˝Arianët janë Prometeu i llojit njerëzor, nga balli i ndritshëm i të cilit shkëlqen shkëndija hyjnore e gjeniut dhe shfaqet gjatë gjithë kohës˝. Zjarret ishin shpesh të pranishëm në tubimet naziste, veçanërishtnë ato që u zhvilluan në mes të verës. Flakë të ndezura, shkëndija fluturuese dhe nxehtësi e fortë, dhe ata shërbyen si një metaforë e fuqishme për lëvizjen naziste në rritje.

Ngjarjet e djegies së librave që ndodhën në vitin 1933 ishin spektakle të dizajnuara me kujdes,me synimin për të arritur performancën maksimale.Nacional-socialistët përdorën gjerësisht komunikimin simbolik si metodë propagandistike. Ngjarjet masive shpesh organizoheshin për të dhënë përshtypjen e ritualit dhe përpiqeshin për të ngjallur reagime të forta emocionale tek vëzhguesit. Në këtë rast, “fjalimet e zjarrta” dhe atmosfera e përgjithshme shërbenin për të nxitur një gjendje entuziazmi të egër.

Helen Kellershkroi hapurnjë letër drejtuar studentëve gjermanë në të cilën ajo kritikonte të gjithë studentët dhe naivitetin e tyreduke ju thënë se, “Historia nuk ju ka mësuar asgjë nëse mendoni se mund të vrisni idetë” dhe përfundonte se këto djegie do të mbahen mend si turp për Gjermaninë. Po, si duket nuk ka ndryshuar asgjë, “Turp për Europën”!.

Djegia e Kur’anit si rrejdhojë e konceptit të dhunës strukturale, ​​ndalimi i zhvillimit të ideve  dhe shkatërrimi dhe kufizimi i mundësisë që një person të shprehë lirisht mendimet e tij nuk është dhe nuk mund të pranohet si normale, sepse në një mënyrë të caktuar është e barabartë mengjarjet e ngjashme të djegies së librave gjatë historisë. Historia është aty për të mësuar dhe mendoj se mësimi më i rëndësishëm që mund të nxjerrim nga historia e librit është ai për lirinë e librit dhe veçanërisht të idesë së lartë. E kundërta është e kobshme…

MARKETING