Mediat serbe: Në veri do ketë tensione, nuk lejojmë të qeverisemi nga 2%

Mediat serbe: Në veri do ketë tensione, nuk lejojmë të qeverisemi nga 2%

Prishtina nuk ka zgjidhje tjetër veçse të tentojë vendosjen e administratës së kryetarëve të rinj, por kjo do të jetë mjaft e vështirë sepse administrate nuk është vetëm një person.
Dushan Janjiç, themelues i Forumit për Marrëdhëniet Etnike në Beograd citohet nga mediat serbe të pohojë se në veri të Kosovës nuk ka fitues të zgjedhjeve, sepse tani po fillon një fazë e re e kushtëzimit të vazhdimit të dialogut. Në këtë mënyrë, sipas tij, situata atje po hyn në një fazë të re tensioni.

Analisti paralajmëron se kjo mund të ketë mund të ketë pasoja në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, e kjo sipas tij, shkon në favor presidentit rus, Vladimir Putin. Më herët, nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç deklaroi se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje.

Ai nuk saktësoi se çfarë masash mund të ndërmerren. “Të gjithë e kanë kuptuar mesazhin që dha populli serb nga veriu i Kosovës, i cili e bojkotoi në masë të madhe procesin zgjedhor”, u shpreh Radoiçiç, i cili falenderoi bashkatdhetarët e tij nga Leposaviçi, Zveçani, Mitrovica e Veriut dhe Zubin Potoku për patriotizmin, dinjitetin, nderin dhe unitetin e dëshmuar.

“Është në dorën tonë që së bashku me vendin tonë, Serbinë, dhe me presidentin Aleksandër Vuçiç ta vazhdojmë luftën për të ruajtur paqen dhe të drejtën e serbëve për të jetuar jetën e tyre”, ishte komenti i Radoiçiçit.

Të premten, Vuçiç pati dalë me një deklaratë të ashpër, duke thënë se pas formimit të institucioneve të reja lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, ku shumica e popullsisë është serbe, veriu do të jete nën “pushtim të plotë”./TCH

MARKETING