Media izraelite: SHBA-ja i jep fund autorizimit për Izraelin “për të vepruar pa kufizime” në Liban

Media izraelite: SHBA-ja i jep fund autorizimit për Izraelin “për të vepruar pa kufizime” në Liban

SHBA-ja i ka bërë të ditur Izraelit se ka përfunduar një autorizim që i lejonte Tel Avivit “të vepronte pa kufizime” në Liban, raportoi të hënën Kanali 13, duke cituar një zyrtar të lartë izraelit të paidentifikuar, transmeton Anadolu.

Sipas burimit, Izraeli ka marrë një mesazh nga SHBA-ja javët e fundit se “autorizimi i mëparshëm për veprim të pakufizuar në Liban ka skaduar”.

Kanali tha se presidenti amerikan Donald Trump “po vendos kufizime ndaj Izraelit, jo vetëm në Liban, por edhe në arena të tjera”, pavarësisht deklaratës së kryeministrit Benjamin Netanyahu se forcat izraelite në Libanin jugor “kanë liri të plotë veprimi”.

Sipas raportimit, udhëheqja politike izraelite ka lëshuar udhëzime zyrtare për ushtrinë që përcaktojnë fushëveprimin e lëvizjeve të lejuara dhe të ndaluara në Liban.

“Këto udhëzime ndalojnë operacione në zona si kryeqyteti, Bejruti, dhe rrethi i Tirit në Libanin jugor”, thuhet më tej.

Më herët të hënën, gazeta izraelite Maariv raportoi për dallime në qëndrime mes Washingtonit dhe Tel Avivit lidhur me situatën në Liban.

Sipas gazetës, Washingtoni e sheh Libanin jugor në një kontekst më të gjerë rajonal që përfshin Ngushticën e Hormuzit, çmimet e energjisë, çështjen bërthamore iraniane dhe nevojën e administratës Trump për të arritur një përparim diplomatik.

Në të kundërt, Izraeli beson se çdo tërheqje e parakohshme nga Libani jugor mund të interpretohet si “shenjë dobësie” dhe si shpërblim për Hezbollahun, thuhet në lajm.

Ofensiva ushtarake e Izraelit në Liban ka vrarë më shumë se 4.000 persona, ka plagosur mbi 12.000 të tjerë dhe ka zhvendosur mbi një milion banorë që nga 2 marsi, sipas autoriteteve libaneze.

Izraeli vazhdon të mbajë të pushtuara zona në jug të Libanit, disa prej tyre për dekada dhe të tjera të marra gjatë luftës së viteve 2023–2024.

MARKETING