Më shumë se 30 shtëpi të kapluar nga uji, Elmazi: Do mbështesim familjet e prekura!
Kryetari i komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, ka njoftuar se në mbledhjen e Shtabit të Krizave është analizuar gjendja faktike në terren pas reshjeve të rrëmbyeshme dhe vërshimeve që përfshinë disa vendbanime të komunës së Sarajit.
“Sipas të dhënave, më shumë se 30 shtëpi janë kapluar nga uji, ndërsa ekipet në terren kanë ndërhyrë me intensitet dhe të gjitha objektet e prekura janë pastruar.
Në kuadër të Shtabit të Krizave janë të angazhuara: Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Qendra për menaxhim me kriza, njësitë e zjarrfikësve nga Tetova, Brigada e Zjarrfikësve e Qytetit të Shkupit, Ndërmarrja Publike e Qytetit të Shkupit për Ujësjellës dhe Kanalizim, ekipe nga Komuna e Gjorçe Petrovit, NPK Saraj, si dhe Komandanti i Njësisë Policore Saraj. Falënderojmë sinqerisht të gjitha institucionet dhe ekipet për angazhimin e tyre profesional, të përkushtuar dhe solidar në përballimin e kësaj situate.
Gjatë takimit u diskutuan edhe hapat e mëtejmë që do të ndërmerren për sanimin e plotë të pasojave, mbështetjen e familjeve të prekura dhe masat parandaluese për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.
Institucionet dhe shërbimet kompetente mbeten në gatishmëri të plotë, ndërsa ne do të vazhdojmë të informojmë qytetarët për çdo zhvillim të ri”, ka shkruar Elmazi. /SHENJA/

