Më shumë se 100 arrestime pas përhapjes së trazirave në Londër si pasojë e sulmit me thikë

Më shumë se 100 arrestime pas përhapjes së trazirave në Londër si pasojë e sulmit me thikë

Bëhet e ditur se më shumë se 100 persona janë arrestuar në qendër të Londrës pas trazirave që u përhapën në pjesë të ndryshme të vendit si pasojë e sulmit me thikë në Southport.

Trazirat kanë shpërthyer në pjesë të ndryshme të vendit ku ka pasur arrestime, disa oficerë janë plagosur dhe një veturë policie është djegur.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, do të takohet me drejtues të lartë të policisë për t’u ofruar atyre “mbështetjen e plotë” përballë trazirave të vazhdueshme.

Në Londër, demonstruesit janë parë duke lëshuar fishekzjarre drejt portave të Downing Street dhe drejt një statuje të Winston Churchill.

Njerëzit mund të dëgjoheshin duke brohoritur fraza të tilla si “ndaloni varkat” dhe “shpëtoni fëmijët tanë” ndërsa ata hidhnin shishe dhe kanaçe drejt oficerëve.
Siç raportohet, arrestimet janë bërë për një sërë veprash, duke përfshirë sulmin ndaj një punonjësi të urgjencës dhe shkeljen e kushteve të protestës.

Gjithashtu, thuhet se ka pasur shkelje të rendit publik pasi shishe qelqi dhe vezë u hodhën ndaj policisë nga protestuesit.

Andaj, priten arrestime të mëtejshme ditëve në vijim, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Çrregullime u raportuan edhe në Aldershot. Deputetja lokale Alex Baker tha se një protestë paqësore “përfundoi në sjellje frikësuese” në një hotel në qytetin Hampshire.

“Ky incident u përkeqësua nga njerëz nga jashtë komunitetit tonë që erdhën këtu të vendosur për të shkaktuar trazira”, tha Baker.

“Ne të gjithë mbështesim të drejtën tonë të përbashkët për të protestuar në mënyrë paqësore, por ne nuk do të mbështesim njerëzit që vijnë në qytetet tona të vendosur për të nxitur telashe dhe për të ndarë komunitetin”, shtoi ajo.
Në Manchester, dy burra u arrestuan për çrregullime të dhunshme dhe sulm ndaj një punonjësi të urgjencës.

Policia tha se protestuesit u shpërndanë në zonën e Newton Heath pasi “u hodhën objekte, drejt policisë dhe publikut”.

Ndryshe, trazirat e kapluan Londrën pas sulmit me thikë nga i cili mbetën të vdekur tre fëmijë dhe tetë të tjerë të plagosur.

Së fundmi, një 17 vjeçar u akuzua nga policia e Merseyside për tre akuza për vrasje, dhjetë të tjera për tentativë vrasje dhe posedim të një mjeti të mprehtë.

Adoleshenti, emri i të cilit nuk mund të bëhet i ditur për arsye ligjore, është paraqitur në Gjykatën në Liverpool.

MARKETING