Mbretëria e Bashkuar vendos sanksione të tjera ndaj zyrtarëve iranianë

Mbretëria e Bashkuar vendos sanksione të tjera ndaj zyrtarëve iranianë

Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar sanksione të reja ndaj zyrtarëve dhe subjekteve iraniane në përgjigje të ekzekutimit të shtetasit britaniko-iranian, Alireza Akbari, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra e çështjeve të jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se këto sanksione të reja u përcaktuan në koordinim me Bashkimin Evropian (BE) dhe SHBA-në, duke demonstruar “dënimin e unifikuar të komunitetit ndërkombëtar ndaj dhunës së tmerrshme që regjimi iranian po shkakton mbi popullin e vet, përfshirë ekzekutimin e shtetasit të dyfishtë britaniko-iranian, Alireza Akbari”.

Sanksionet përfshijnë komandantin e përgjithshëm të forcave tokësore të Iranit, Kiyumars Heidari, zv/komandantin e Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit (RGC), Hossein Nejat, si dhe zv/komandantin e Forcës së Rezistencës Basij, Salar Abnoush.

Në njoftim theksohet se sanksione janë vendosur edhe ndaj zv/prokurorit të përgjithshëm të Iranit, Ahmad Fazelian.

Sekretari i jashtëm britanik, James Cleverly, tha se personat e sanksionuar sot nga “figurat gjyqësore që përdorin dënimin me vdekje për qëllime politike deri te banditët që rrahin protestuesit në rrugë” janë thelbi i “represionit brutal të regjimit ndaj popullit irainan”.

Ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar dhe partnerët e saj kanë dërguar një “mesazh të qartë” përmes këtyre sanksioneve.

“Mbretëria e Bashkuar tani ka vendosur 50 sanksione të reja në përgjigje të shkeljeve të të drejtave të njeriut nga regjimi iranian që nga vdekja e Mahsa Amini-t dhe do të vazhdojë të ndërmarrë një gamë të gjerë veprimesh për ta mbajtur përgjegjës regjimin”, tha Cleverly.

MARKETING