Mbi 2.000 pika të infrastrukturës energjetike të Iranit u goditën në sulme SHBA-Izrael

Mbi 2.000 pika të infrastrukturës energjetike të Iranit u goditën në sulme SHBA-Izrael

Sipas një zyrtari iranian, më shumë se 2.000 pika të infrastrukturës së energjisë elektrike në Iran janë shënjestruar gjatë sulmeve të fundit të përbashkëta nga SHBA-ja dhe Izraeli, transmeton Anadolu.

Zv.ministri i Energjisë për sektorin e elektricitetit, Mostafa Rajabi Mashhadi, tha se 12 punonjës të sektorit energjetik kanë humbur jetën gjatë këtyre sulmeve, duke shtuar se objektivi ka qenë dëmtimi i infrastrukturës kritike.

“Sulmi ndaj infrastrukturës së energjisë elektrike është sulm ndaj popullit”, tha ai.

Pavarësisht shkallës së dëmeve, siç raporton agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim, Mashhadi theksoi se ndërprerjet e energjisë janë rikthyer brenda më pak se një ore në shumicën e rasteve.

Mashhadi gjithashtu bëri të ditur se rreth 150.000 persona punojnë në sektorin elektrik të Iranit, prej të cilëve 30.000 janë në gatishmëri të vazhdueshme për të siguruar funksionimin e sistemit.

Ndërkohë, sipas agjencisë shtetërore IRNA, kreu i Organizatës së Çështjeve Administrative dhe Rekrutimit në Iran, Aladdin Rafizadeh, deklaroi se 68 punonjës administrativë janë vrarë gjatë detyrës në periudhën e fundit të konfliktit.

Deklaratat vijnë pas paralajmërimeve të mëhershme të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili kishte thënë se në mungesë të një marrëveshjeje, SHBA mund të godiste infrastrukturën iraniane, përfshirë termocentralet dhe urat.

Tensionet në rajon u përshkallëzuan pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael më 28 shkurt ndaj Iranit, të cilat u pasuan nga sulme hakmarrëse të Teheranit ndaj objektivave amerikane në Lindjen e Mesme.

Një armëpushim dyjavor u shpall më 8 prill, i ndjekur nga bisedime të drejtpërdrejta mes SHBA-së dhe Iranit në Islamabad më 11-12 prill, të cilat përfunduan pa marrëveshje. Armëpushimi është zgjatur ndërkohë, ndërsa përpjekjet diplomatike vazhdojnë në një klimë tensionesh të larta.

MARKETING