Max Dowman bën histori – lojtari më i ri ndonjëherë që luan në Ligën e Kampionëve

Max Dowman bën histori – lojtari më i ri ndonjëherë që luan në Ligën e Kampionëve

Max Dowman ka hyrë në historinë e futbollit evropian, duke u bërë lojtari më i ri që debuton ndonjëherë në Ligën e Kampionëve.

Sulmuesi i talentuar i Arsenalit, vetëm 15 vjeç e 308 ditë, u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes kundër Slavia Prague, duke thyer një rekord që kishte qëndruar për katër vite.

Rekordi i mëparshëm mbahej nga Youssoufa Moukoko i Borussia Dortmund, i cili kishte debutuar në dhjetor të vitit 2020 në moshën 16 vjeç e 18 ditë. Me paraqitjen e tij sonte, Dowman e ka kaluar këtë shifër dhe ka vendosur një standard të ri për futbollistët e rinj që ëndërrojnë arenën më prestigjioze të klubeve.

Ky nuk është rekordi i vetëm i jashtëzakonshëm për të riun anglez. Dowman kishte debutuar më herët këtë sezon edhe në Ligën Premier, në moshën 15 vjeç e 229 ditë, duke u bërë një nga futbollistët më të rinj në historinë e kampionatit anglez.

Në këtë renditje, ai qëndron menjëherë pas shokut të tij të skuadrës Ethan Nwaneri (15 vjeç e 181 ditë), i cili mban rekordin si debutuesi më i ri i Ligës Premier dhe që sot ishte titullar për “Topçinjtë”.

Dowman është një sulmues i krahut të djathtë, i njohur për shpejtësinë, driblimin dhe guximin e tij teknik. Pavarësisht moshës, ai ka treguar pjekuri dhe vetëbesim të jashtëzakonshëm, duke bindur trajnerin Mikel Arteta se është gati të jetë pjesë e planeve të skuadrës së parë. /Telegrafi/

MARKETING