Mastantuono zbulon se si Xabi Alonso e bindi atë që ta refuzojë PSG-në

Mastantuono zbulon se si Xabi Alonso e bindi atë që ta refuzojë PSG-në

Përforcimi më i ri i Real Madridit, Franco Mastantuono, ka zbuluar prapaskenat e garës mes gjigantëve spanjollë dhe Paris Saint-Germainit për transferimin e tij.

Mastantuono ka treguar se një telefonatë direkte nga trajneri Xabi Alonso ishte një faktor “shumë i rëndësishëm” në vendimin e tij për t’u bashkuar me kampionët e Spanjës.

Gjatë prezantimit zyrtar, 18-vjeçari argjentinas konfirmoi se kishte zhvilluar gjithashtu bisedime me trajnerin e PSG-së, Luis Enrique, por në fund u ndikua nga besimi që i tregoi tekniku i Real Madridit.

Ish-lojtari i River Plate e përshkroi kalimin te “Los Blancos” si një “ëndërr” dhe një përvojë “të veçantë”.
PSG-ja ishte mes shumë klubeve që kërkonin të transferonin talentin e ri, por vendosmëria e Alonsos e bindi atë të zgjedhë Madridin.
“Kisha folur tashmë me Xabin, më telefonoi vetë, për mua ishte shumë e rëndësishme që më tregoi atë besim”.

“Ishte një bisedë private, por ajo telefonatë më dha shumë vetëbesim dhe më vlejti shumë. Shumë klube ishin të interesuara për mua dhe i respektoj maksimalisht të gjithë”.

“Fola edhe me Luis Enrique, ai ishte shumë i qartë me mua. E uroj për titullin që fitoi mbrëmë”, ka thënë Mastantuono.

Transferimi i Mastantuonos vazhdon strategjinë e suksesshme të Real Madridit për të transferuar talentet më premtues të Amerikës së Jugut, duke ndjekur shembullin e Viniciusit, Rodrygos dhe Endrickut.

MARKETING