Mashtrohet një grua nga Tetova, pagoi 8.600 euro paradhënie për një shtëpi që nuk ishte në shitje

Mashtrohet një grua nga Tetova, pagoi 8.600 euro paradhënie për një shtëpi që nuk ishte në shitje

Policia e Tetovës ka ngritur kallëzim penal ndaj katër personave: Sh.F. (54) dhe Z.Z. (48) nga Tetova, M.F. (29) nga Koliçani i Epërm, si dhe I.A. (54) nga Shemshova, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të mashtrimit gjatë blerjes dhe shitjes së pasurive të paluajtshme.

Sipas informatave zyrtare, rasti daton nga dhjetori i vitit 2024, kur dy të dyshuarit e parë e kanë mashtruar një grua, duke e bindur se mund të ndërmjetësonin në blerjen e një shtëpie në Tetovë, e cila, sipas tyre, ishte në pronësi të të afërmve të tyre. Vlera e pronës ishte rënë dakord në shumën prej 135 mijë euro.

Duke u bazuar në këto pretendime, viktima u ka dorëzuar të dyshuarve shumën prej 8.600 eurosh në dy raste të ndara.

Mashtrimi është zbuluar në mars të vitit 2025, kur gruaja ka mësuar se shtëpia në fjalë në fakt ishte në pronësi të një personi tjetër dhe nuk kishte asnjë lidhje me të dyshuarit.

Gjatë përpjekjes për ta denoncuar rastin në polici, ajo është dekurajuar nga i dyshuari i tretë, I.A., i cili dyshohet se ka tentuar ta pengojë paraqitjen e kallëzimit penal.

Më pas, të dyshuarit kanë kthyer vetëm një pjesë të shumës së marrë, konkretisht 5.100 euro, ndërsa pjesën e mbetur e kanë përvetësuar. Pas kësaj, ata kanë ndërprerë çdo kontakt me viktimën, e kanë bllokuar në rrjetet sociale dhe kanë refuzuar çdo komunikim të mëtejshëm.

Policia po ndërmerr masa të mëtejshme për zbardhjen e plotë të rastit.

MARKETING