Mashtrim me kriptovaluta në Gostivar, 66-vjeçari humb mbi 21 mijë denarë
Më 21 shkurt 2026, rreth orës 13:30, në Stacionin Policor në Gostivar është paraqitur një 66-vjeçar nga një fshat i kësaj komune, i cili ka raportuar se ka qenë viktimë e një mashtrimi përmes rrjeteve sociale.
Sipas denoncimit, ai është kontaktuar nga një profil me inicialet E.K., i cili i ka ofruar bashkëpunim të supozuar në investime me kriptovaluta. I dëmtuari ka deklaruar se në tri raste të ndara ka paguar gjithsej 21.930 denarë në llogarinë e një personi tjetër me inicialet M.K., kinse për të mbuluar shpenzimet për tërheqjen e fitimit të realizuar.
Pasi i është kërkuar që të kryejë edhe një pagesë tjetër, 66-vjeçari ka dyshuar dhe ka kuptuar se bëhet fjalë për mashtrim, pas çka e ka denoncuar rastin në polici.
Nga SPB-Tetovë njoftojnë se janë duke u ndërmarrë masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë.

