MASH përfshiu mediatorë arsimorë romë edhe në arsimin e mesëm
Pasi në vitin e kaluar shkollor është rritur numri i mediatorëve arsimorë romë në arsimin fillor nga 40 në 50 persona, të cilët i ndihmojnë të rinjtë romë të përfshihen në procesin edukativo-arsimor dhe të mos ketë braktisje të nxënësve nga shkolla, këtë vit për herë të parë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës përfshiu mediatorë arsimorë romë edhe në arsimin e mesëm.
Përmes thirrjes publike u përzgjodhën 20 persona të cilët do të punojnë me nxënës të shkollave të mesme nga komuniteti etnik rom në tejkalimin e sfidave arsimore dhe sfidave të tjera me të cilat ata përballen në jetën e përditshme. Sot ata nënshkruan marrëveshje për angazhim pune dhe u takuan me ministren e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, e cila shprehu mirënjohje për dëshirën dhe gatishmërinë e tyre për t’u përfshirë në angazhimin e ngritjes së gjithëpërfshirjes së sistemit kombëtar arsimor dhe u uroi sukses në punën e tyre.
„ Kemi arritur sukses të madh me mediatorët arsimorë romë në arsimin fillor. Pres që edhe Ju të jeni efikas në punën tuaj, gjë që është shumë fisnike. Mund t’i ndryshoni fatin e shumë fëmijëve. Bisedoni me prindërit, ndërtoni marrëdhënie të mirë me shërbimet e shkollës, përfshini në shkolla ata që nuk ndjekin mësimin dhe ndihmoni ata në arsim dhe në realizimin e të gjitha të drejtave të tjera. Është e rëndësishme të kemi popullsi më të arsimuar, sepse njohuria është mjeti kryesor për sukses,” theksoi Janevska, duke shtuar se në rrjedhë është thirrja publike për angazhimin e numrit shtesë të mediatorëve.

