Masat për ndeshjen Shqipëri–Serbi u zbatuan pa incidente, evidenton kryepolici Proda

Masat për ndeshjen Shqipëri–Serbi u zbatuan pa incidente, evidenton kryepolici Proda

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka dërguar një mesazh të brendshëm strukturave policore, ku nënvizon përfundimin pa incidente të ndeshjes së futbollit Shqipëri–Serbi dhe zbatimin e planit të posaçëm të masave të sigurisë.

MARKETING

Në mesazh, Proda vlerëson angazhimin e strukturave përgjegjëse dhe përmend bashkëpunimin me institucionet e tjera si Garda e Republikës, Policia Bashkiake Tiranë, FSHF, UEFA, si dhe stafin e skuadrës serbe.

Sipas tij, aktiviteti sportiv është zhvilluar në përputhje me standardet e sigurisë dhe nuk është shënuar asnjë incident që të ketë cënuar rendin publik.

Në fund të komunikimit, drejtori i përgjithshëm thekson rolin e qytetarëve dhe tifozëve në respektimin e udhëzimeve, duke e konsideruar bashkëpunimin e tyre si element ndihmues në administrimin e situatës. /noa.al

Mesazhi i plotë:

“Të nderuar kolegë,

Është e disata herë që brenda një muaji t’ju drejtohem me shumë kënaqësi dhe gjej momentin të jem falënderues për të gjithë ju që përballuat me sukses disa sfida shumë të rëndësishme, të cilat kërkonin përkushtim, angazhim, sakrificë dhe maturi.

Dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta për angazhimin, profesionalizmin dhe përkushtimin që treguat në përballimin me sukses të masave të sigurisë për ndeshjen e futbollit Shqipëri–Serbi, një sfidë me rëndësi të veçantë dhe ndjeshmëri të lartë.

Sajë bashkëpunimit të ngushtë mes strukturave policore, veprimeve të koordinuara për garantimin e standardeve të sigurisë, bashkëpunimit me Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake Tiranë, FSHF-në, UEFA-n, stafin e skuadrës mike dhe agjencitë ligjzbatuese, ky aktivitet sportiv u menaxhua me profesionalizëm, duke mundësuar që të zhvillohej pa incidente që do të cenonin rendin publik apo sigurinë e pjesëmarrësve.

Puna juaj e palodhur, angazhimi i jashtëzakonshëm dhe vetëkontrolli në kushte të ngarkesës fizike dhe emocionale janë tregues i qartë i përkushtimit që Policia e Shtetit ka ndaj detyrës dhe ligjit, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, pavarësisht sfidave apo ndjeshmërive të momentit.

Falënderim të veçantë për qytetarët, sportdashësit dhe tifozët, të cilët respektuan udhëzimet e Policisë deri në përfundim të aktivitetit sportiv.

Bashkëpunimi me qytetarët për përballimin e këtyre sfidave është një tjetër tregues i besimit që ndërtojmë së bashku, dhe një dëshmi e qartë e gatishmërisë sonë për të përballuar me sukses sfidat e sezonit veror”.

MARKETING