Marotta injoron Lukakun: Kapitull i mbyllur, nuk kemi pse nxitojmë për rinovimin e Lautaro

Marotta injoron Lukakun: Kapitull i mbyllur, nuk kemi pse nxitojmë për rinovimin e Lautaro

Rikthimi i Romelu Lukakut në “San Siro” si kundërshtar i Interit përfundoi në mënyrën më të mirë për zikaltrit, me fitoren e siguruar nga goli i Marcus Thuram. Për këtë arsye është koha të shihet përpara, siç konfirmoi drejtori zikaltër, Giuseppe Marotta: “Nuk ka ajër të rëndë, kemi folur në disa raste për atë që ndodhi dhe tani përfaqëson të kaluarën. Kapitulli ‘Lukaku’ është mbyllur, këtë e kemi përsëritur disa herë”.

Nëse sulmuesi belg është e kaluara, Lautaro Martinez është e tashmja dhe gjithçka na shtyn të mendojmë se do të jetë edhe e ardhmja, me negociatat për rinovimin e nisura, edhe nëse drejtori ekzekutiv i Interit përpiqet ta zbusë situatën:

“Jemi përballë një negociate që çon në zgjatje të bashkëpunimit me Interin, qoftë të kapitenit, por edhe djemve të tjerë që kanë treguar ndjenjën e përkatësisë. Një situatë që do ta menaxhojmë me qetësi. Sigurisht që nuk është një situatë që krijon probleme, por dinamikë për t’u menaxhuar brenda sezonit sportiv”.

E ardhmja është gjithashtu janari me përforcime të mundshme, një temë për të cilën Marotta nuk dëshiron të flasë ende: “Samardzic? Merkatoja përfaqëson diçka nga e ardhmja dhe jo ngjarjet aktuale, ne jemi të fokusuar në të tashmen”.

Disa fjalë edhe për presidencën e klubit zikaltër: “Familja Zhang e do Interin, edhe Interi duhet t’i jetë mirënjohës. Të mos harrojmë që ndër vite kanë siguruar qindra, milionë euro financime. Në vitin 2018 filluam një cikël me presidencën Zhang, kemi pasur rritje të vazhdueshme. Tashmë jemi një model referimi shumë pozitiv.

Sigurisht që mund të kishim bërë më shumë, humbëm ngjarjen më të rëndësishme në futbollin botëror (finalen e Champions League). Sigurisht, nga ajo përvojë lind vetëdija e dëshirës për të luajtur me çdo kusht rol kryesor. Këtë na e thotë edhe historia e klubit dhe mbi të gjitha e duan tifozët, që kanë garantuar pjesëmarrjen më të madhe në futbollin italian”.

MARKETING