Maqedonia e Veriut sot në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

Maqedonia e Veriut sot në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut po votojnë sot në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për të zgjedhur kryetarët e 32 komunave dhe të Qytetit të Shkupit.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kanë gjithsej 1.013.375 qytetarë.

Votimi po zhvillohet në Qytetin e Shkupit dhe në komunat Aerodrom, Bogovinë, Brvenicë, Çeshinovë-Obleshevë, Çuçer-Sandevë, Debarcë, Demir Kapi, Dibër, Dojran, Dollnen, Karposh, Kërçovë, Koçan, Konçe, Krushevë, Kumanovë, Llozovë, Makedonska Kamenicë, Makedonski Brod, Mogillë, Negotinë, Probishtip, Qendër, Rankoc, Rosoman, Shuto Orizari, Strugë, Studeniçan, Tetovë, Vallandovë, Vinicë dhe Zrnovcë.

Në zgjedhje marrin pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 kandidatura të pavarura.

Raundi i parë, i mbajtur më 19 tetor, rezultoi me zgjedhjen e 44 kryetarëve të komunave dhe këshillave komunalë.

Në komunat Gostivar, Vrapçisht, Qendër-Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë nuk u arrit pragu i pjesëmarrjes, prandaj do të zhvillohet procedurë e re zgjedhore brenda 60 ditëve.

Fushata përfundoi të premten në mesnatë, ndërsa qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.

Procesin zgjedhor po e monitorojnë 1.598 vëzhgues, përfshirë 933 vendorë dhe 651 ndërkombëtarë.

MARKETING