Maqedonia e Veriut nga sot zyrtarisht pjesë e SEPA-s

Maqedonia e Veriut nga sot zyrtarisht ka filluar aplikimin e Zonës së vetme të pagesave në euro (SEPA), transmeton Anadolu.
Ministria për Çështje Evropiane informon se me këtë zbatim qytetarët dhe kompanitë do të mund të kryejnë dhe të pranojnë pagesa në euro drejt vendeve anëtare dhe nga vendet anëtare të SEPA-s me kushte të njëjta si në Bashkimin Evropian (BE).
“Sot, me fillimin e aplikimit praktik për transaksione më të lehta, më të shpejta dhe më të lira në euro, Maqedonia e Veriut zyrtarisht u bë pjesë aktive e Zonës evropiane të pagesave, që është hap i rëndësishëm në avancimin e integrimit me tregun e vetëm evropian”, thuhet në njoftim.
“Bashkimi me SEPA-n është pjesë e aktiviteteve në kuadër të Planit të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili ka për qëllim të përshpejtojë integrimin ekonomik të vendeve të rajonit me BE përmes rritjes së qasjes në tregun e vetëm, shtytjen e investimeve dhe avancimin e shërbimeve financiare”, thekson ministria më tej.
Sipas ministrisë, ky progres i rëndësishëm është rezultat konkret i përpjekjeve të Qeverisë dhe Ministrisë për Çështje Evropiane të Maqedonisë së Veriut për zbatimin e standardeve evropiane dhe për përmirësimin e kushteve për qytetarët dhe bizneset.
“Me zbatimin e pagesave SEPA, vendi ynë po afrohet drejt rrjedhave financiare evropiane dhe konfirmon progresin e tij të vazhdueshëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, thanë nga ministria.