Maqedonia e Veriut mes 60 tregjeve të synuara të Turqisë për eksport këtë vit

Maqedonia e Veriut mes 60 tregjeve të synuara të Turqisë për eksport këtë vit

Ministria e Tregtisë e Turqisë këtë vit ka përcaktuar 60 vende, ndër to edhe Maqedoninë e Veriut, si “tregje të synuara” për eksport, me qëllim zhvillimin e eksporteve drejt tregjeve alternative dhe zbatimin e masave shtesë mbështetëse.

Sipas informacioneve të përpiluara nga Anadolu, Ministria po zhvillon një sërë punimesh për ta bërë tregtinë më konkurruese, më të shpejtë dhe më të besueshme, për të nxitur eksportin me teknologji të lartë dhe me vlerë të shtuar, duke kontribuar kështu në rritje të qëndrueshme ekonomike.

Në këtë kuadër, për të forcuar dhe zhvilluar më tej potencialin e eksportit, Ministria ofron mbështetje për eksportuesit në fusha të ndryshme.

Çdo vit, në përputhje me politikat e jashtme tregtare të Turqisë, tregjet që kanë përparësi strategjike dhe vlerësohen me potencial të lartë eksporti përcaktohen si “vende të synuara”. Ministria i mbështet kompanitë që eksportojnë në këto vende përmes mekanizmave të veçantë nxitës.

Gjatë përcaktimit të vendeve të synuara, merren parasysh pjesëmarrja e vendeve në tregtinë globale elektronike, kushtet e hyrjes në treg, distanca, si dhe strategjitë e eksportit të Ministrisë.

Në identifikimin e këtyre vendeve, të cilat zënë një vend të rëndësishëm në strategjinë e tregtisë së jashtme të Turqisë, veprohet gjithashtu duke marrë parasysh koniunkturën globale politike dhe ekonomike.

– Kompanitë orientohen drejt këtyre tregjeve

Kështu synohet të zvogëlohet ndikimi i mundshëm i ngadalësimit në tregjet tradicionale mbi eksportin dhe të rritet eksporti drejt tregjeve alternative. Për identifikimin e tregjeve të ndryshme të synuara, drejt të cilave mund të orientohen kompanitë, si bazë përdoren treguesit makroekonomikë, matrica rritje-pjesëmarrje dhe analizat e diversifikimit të tregut.

Në këto studime merren parasysh vendet në kuadër të Strategjisë për Vendet e Largëta, vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam dhe vendet e analizuara në kuadër të Strategjisë për Zhvillimin e Eksportit.

Në përputhje me Vendimin për Mbështetjen e Eksportit, për shpenzimet që lidhen me vendet e synuara aplikohet mbështetje shtesë. Mbështetje ofrohet në shumë fusha, veçanërisht për promovimin e e-eksportit, shërbimet e përmbushjes së porosive, delegacionet sektoriale tregtare dhe blerëse, si dhe shpenzimet e komisioneve të tregjeve online.

– Janë përcaktuar 60 vende

Si rezultat i analizave dhe vlerësimeve të kryera nga Ministria, këtë vit janë përcaktuar 60 vende si “vende të synuara për eksport”. Këto vende janë:

“Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australia, Azerbajxhani, Bahrejni, Bangladeshi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mbretëria e Bashkuar, Bosnje e Hercegovina, Brazili, Algjeria, Çekia, Republika Popullore e Kinës, Indonezia, Etiopia, Maroku, Bregu i Fildishtë, Filipinet, Palestina, Franca, Gana, Republika e Afrikës së Jugut, Koreja e Jugut, India, Iraku, Spanja, Italia, Japonia, Kamboxhia, Kanadaja, Katari, Kenia, Kolumbia, Kuvajti, Libia, Hungaria, Maqedonia e Veriut, Malajzia, Meksika, Egjipti, Nigeria, Uzbekistani, Pakistani, Peruja, Portugalia, Rumania, Rusia, Senegali, Serbia, Sllovakia, Siria, Arabia Saudite, Kili, Tanzania, Tajlanda, Tunizia, Omani, Jordania, Venezuela dhe Vietnami”.

Vitin e kaluar numri i vendeve të synuara për eksport ishte 55, ndërsa këtë vit listës ekzistuese iu shtuan Palestina, Hungaria, Maqedonia e Veriut, Sllovakia dhe Siria.

MARKETING