Maksuti: Përshëndes iniciativën e studentëve për provimin e jurisprudencës në shqip
Profesori universitar Mersim Maksuti, i ftuar sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, u shpreh i kënaqur me iniciativën e studentëve shqiptarë për të kërkuar zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ai tha se është ndier i gëzuar kur ka parë zërin protestues të studentëve, duke theksuar se, për fat të keq, ngritja e zërit nga studentët për të drejtat e tyre ka qenë e zbehur ndër vite.
“Sinqerisht u gëzova kur pashë një iniciativë dhe një zë protestues nga studentët. Gjithmonë më ka prekur kjo çështje, si profesor i botës akademike, por edhe si shqiptar, sepse jemi në një proces të vazhdueshëm sfidash për të drejtat tona. Roli i studentëve për të sfiduar të drejtat e veta, por edhe për të kontribuar më gjerë në të drejta kombëtare kolektive, ka qenë disi i zbehur. Prandaj më gëzon fakti që studentët morën guximin dhe iniciativën e plotë, me të drejtë, për të kërkuar një të drejtë që u takon dhe këtë iniciativë e përshëndes,” deklaroi Maksuti. /shenja/

