Maksuti: Ministria e Drejtësisë të veprojë për provimin e jurisprudencës pas deklaratës së Mickoskit
Profesori universitar Mersim Maksuti, i ftuar sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, përshëndeti deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me mundësinë e zhvillimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Ai shprehu shpresën se pas kësaj deklarate, Ministria e Drejtësisë do të veprojë pa vonesa, duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për realizimin e kësaj çështjeje.
“E përshëndes edhe njëherë deklaratën e kryeministrit dhe shpresoj që pas saj Ministria e Drejtësisë të veprojë menjëherë. Pres që ministri i Drejtësisë, në momentin e parë dhe në afatin sa më të shkurtër, të përpilojë një program të ri, të shqyrtojë organizimin e gjuhës shqipe përmes një komisioni të veçantë dhe të nisë organizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Besoj se Ministria e Drejtësisë shumë shpejt do të reflektojë pas deklaratës së kryeministrit dhe kjo çështje do të marrë zgjidhje përfundimtare,” deklaroi Maksuti. /SHENJA/

