LSM bën thirrje për protestë masive më 14 mars: Pagat duhet të rriten
Të gjithë anëtarët e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, punëtorët, si dhe anëtarët e sindikatave të tjera të cilat udhëhiqen nga liderë që nuk luftojnë për pagat tuaja, janë ftuar të na bashkohen të shtunën në orën 12:05 përpara Shtëpisë së Punëtorëve, për të dërguar një mesazh të ri se pagat, përfshirë pagën minimale, duhet të rriten për të gjithë, bëri thirrje sot në një konferencë për mediat kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov.
Ai theksoi se punëtorët duhet vetë të luftojnë për pagat e tyre, sepse, siç tha, të tjerët nuk do të luftojnë në vend të tyre. Sipas tij, paga që marrin punëtorët është rezultat i punës, djersës dhe mundit të tyre, dhe jo një dhuratë nga punëdhënësit.
Trendafilov vlerësoi se rregullimi i propozuar i pagës minimale prej 1.667 denarë është i pamjaftueshëm, duke pasur parasysh rritjen e vazhdueshme të shpenzimeve të jetës. Si argument, ai përmendi edhe rritjen e vlerës së shportës minimale sindikale për 2.000 denarë brenda vetëm dy muajve.
Trendafilov theksoi se rreth 160,000 punëtorë në vend, sipas të dhënave të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, jetojnë me paga nën kufirin e varfërisë, gjë që, siç tha, vërteton më tej nevojën për një rritje të menjëhershme të pagës minimale dhe të pagave të tjera.
Në lidhje me seancën e fundit të Këshillit Ekonomik-Social, Trendafilov ninformoi se LSM-ja e la seancën për shkak të përpjekjes për të rregulluar pagën minimale vetëm në 1.667 denarë.
“Kemi vendosur të kërkojmë pagë minimale prej 600 euro dhe të paktën 6,000 denarë rritje për të gjitha pagat e tjera të punëtorëve”, deklaroi ai. Pas largimit të LSM-së, seanca mbeti pa kuorum, prandaj nuk mund të merrej asnjë vendim.
Trendafilov shtoi se, sipas ligjit, për përcaktimin e pagës minimale është e nevojshme mendimi i Këshillit Ekonomik-Social, ku duhet të jenë të pranishme të gjitha organizatat përfaqësuese të punëtorëve dhe punëdhënësve.
“Besojmë se në mars duhet të rritet paga minimale. Ata nuk e japin, ne e fitojmë atë” tha Trendafilov, duke përsëritur thirrjen për pjesëmarrje masive në protestën e së shtunës.
Protesta e së shtunës do të fillojë në 12:05 para LSM-së, do të vazhdojë para Kuvendit, pastaj para Odës Ekonomike, dhe do të përfundojë para Qeverisë.

