LSDM: Siguruam shumicë për reforma dhe stabilitet, VMRO: Duhen zgjedhje të parakohshme

LSDM: Siguruam shumicë për reforma dhe stabilitet, VMRO: Duhen zgjedhje të parakohshme

LSDM njoftoi se me zgjerimin e Qeverisë me pjesëmarrjen e Aleancës për Shqiptarët, siguroi shumicën për reforma dhe stabilitet politik të shtetit.  Sipas tyre shumica e shtuar e qeverisë do të kujdeset për përballimin e krizës, përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe rimëkëmbjen e  ekonomisë.

LSDM

“Me përfshirjen e Aleancës si partner i ri i koalicionit në Qeveri, sigurohen të gjitha kushtet për stabilitet politik, avancim të sundimit të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit, si dhe rritje të efikasitetit të Kuvendit dhe institucioneve”.

LSDM vlerëson se shumica e shtuar lejon vazhdimin e tranzicionit energjetik, lejon vazhdimin e  Ballkanit të Hapur dhe avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Ndërsa VMRO – DPMNE vlerëson se qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja dhe BDI-ja është më e korruptuara, ndërsa drejtësia është nën komandën e drejtpërdrejtë të saj. Duke iu referuar hulumtimit të Qendrës për Strategji Evropiane “Eurothink” VMRO rikujton se mbi 71% e të anketuarve theksojnë se qeveria bën një punë të keqe me korrupsionin dhe se ai është rrënja e problemit në vend, ndërsa 51% e të anketuarve  kanë dhënë vlerësimin më të ulët 1 për trajtimin e korrupsionit në vend.

VMRO-DPMNE

“Autoritetet e LSDM dhe BDI po e çojnë vendin në humnerë. Krahas pamundësisë për t’u përballur me krizën energjetike dhe ekonomike, qytetarët thonë qartë se krimi dhe korrupsioni janë problemet e tyre më urgjente”.

VMRO vazhdon të këmbëngulë për zgjedhje të parakohshme parlamentare me qëllim që siç thonë ata,  kriminelët nga LSDM dhe BDI të përfundojnë në histori. /SHENJA/

 

 

 

MARKETING