LSDM sërish me akuza ndaj pushtetit: Blerim Ramadani u arratis me ndihmën e MPB-së

LSDM sërish me akuza ndaj pushtetit: Blerim Ramadani u arratis me ndihmën e MPB-së

LSDM akuzoi se Blerim Ramadani ishte organizuar dhe transferuar në Kosovë nga zyrtarë të MPB-së dhe institucioneve tjera. Ata kërkuan nga ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski që të japë dorëheqje dhe nga prokuroria të nis hetime. “Qeveria e VMRO-DPMNE-së është kapur e gjallë në një mega skandal me keqpërdorim të kufirit shtetëror, institucioneve shtetërore dhe një sërë shkeljesh të ligjeve. Është dëshmuar se nuk bëhet fjalë për arratisjen e Blerim Ramadanit, por për çlirimin dhe transferimin e organizuar të Ramadanit nga zyrtarë të lartë të MPB-së dhe institucioneve tjera, tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

“Nëse prokuroria themelore publike nuk e bën këtë sa më parë, ne do të konsiderojmë se është në anën e Ministrisë së Brendshme dhe mbulon këtë skandal. Çfarë po pret prokuroria, duhet të reagojë menjëherë dhe të informojë publikun për këtë. Pyesim a po mbrohen komandantët e këtij operacioni partiako-policor?”, tha Bogdanka Kuzeska nga LSDM.

Nga LSDM thonë se kryeministri Hristijan Mickoski dje ka dhënë një deklaratë skandaloze në të cilën në vend që të kërkojë përgjegjësi dhe hetim të brendshëm për rastin, pretendon se LSDM po përhap gënjeshtra.

I menjëhershëm ishte reagimi i VMRO-DPMNE-së. Ata thonë se LSDM vazhdon ta mbrojë gjyqtarin Pajazit Pajaziti, i cili fsheh se të arrestuarit për vrasjen tek qendra tregtare “Mavrovasja” kanë ikur nga burgu.

“LSDM vazhdon me mbrojtjen e Pajazitit fajtor për arratisjen e Blerim Ramadanit. Nëse Pajaziti do të kishte marrë një vendim për paraburgimin efektiv të Ramadanit, ai tani do të ishte në burg Shkup ose në një institucion të njohur si burgu i Shutkës. Gjyqtari Pajaziti duhet të shkarkohet menjëherë. LSDM vazhdon të fshehë skandalin për të burgosurit e arratisur në kohën e tyre, të cilët tani janë të akuzuar për vrasjen tek qendra tregtare Mavrovasja”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Ramadani është arrestuar në korrik të këtij viti në pikën kufitare “Jazhincë” në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të Interpolit nga Republika e Serbisë, i cili është në kërkim të tij nën dyshimin për krime lufte të kryera si pjesëtar i UÇK-së. Ramadani u arratis duke qenë në arrest shtëpiak.

MARKETING